Sport

Reformë në Kategorinë e Parë! Format i ri me 12 skuadra në edicionin 2023-24!

Zvogëlohet numri i skuadrave pjesëmarrëse: Nga 14, këtë sezon 12 skuadra, do luajnë me sistem vajtje-ardhje 2 fazat e para, ndërsa ndeshjet e fazës së tretë do të zhvillohen sipas një skeme, ku do të favorizohen skuadrat e renditura më mirë, pas dy fazave të para.

19 Korrik 2023, 12:40 Nga DOSJA
Reformë në Kategorinë e Parë! Format i ri me 12 skuadra

TIRANE - Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë vendime të rëndësishme për kompeticionet kombëtare në mbledhjen e fundit, ndër të cilat edhe miratimi i strukturës dhe skemës së kampionatit Kategoria e Parë 2023-24.

Sipas formatit të propozuar dhe më pas të miratuar nga KE i FSHF-së, në këtë edicion të ri do të marrin pjesë 12 skuadra që do të garojnë në tre faza dhe do të luhen në total 33 javë.

Këto 12 skuadra do luajnë me sistem vajtje-ardhje 2 fazat e para, ndërsa ndeshjet e fazës së tretë do të zhvillohen sipas një skeme, ku do të favorizohen skuadrat e renditura më mirë, pas dy fazave të para.

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet Superiore”.

Skuadrat e renditura në vendin e tretë, katërt, pestë dhe të gjashtë, do të luajë ndeshje “play-off” për të përcaktuar ekipin që do të zhvillojë ndeshje me vendin e tetë të “Abissnet Superiore” sipas skemës së mëposhtme: 3-6 dhe 4-5.

Ndeshjet do të zhvillohen me një takim në stadiumin e skuadrës së renditur më mirë në klasifikimin e përgjithshëm. Në rast barazimi pas 90 minutave të lojës së rregullt, skuadra e renditur më mirë në klasifikim kualifikohet për në ndeshjen finale.

Pas 3 fazave skuadrat e renditura në vendin e 11-tё dhe 12-tё zbresin në Kategorinë e Dytë.

Skuadrat e renditura në vendin e 9-të dhe 10-të do të luajnë ndeshje finale “play-out” me skuadrat fituese të “play off” të Kategorisë së Dytё Grupi A&B.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll