Bota

Ngacmime seksuale dhe racizëm në McDonald's, 100 punëtorë britanik rrëfejnë abuzimet

Pas hetimit kompania e McDonald's tha se kishte "dështuar" dhe "kërkoi thellësisht falje". Kompania shtoi se të gjithë punonjësit meritonin të punonin në një vend pune të sigurt, të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës.

18 Korrik 2023, 08:47 Nga f.i
Ngacmime seksuale dhe racizëm në McDonald's, 100
foto ilustruese

BRITANI E MADHE- Sulme seksuale, ngacmime dhe racizëm është pretenduar nga më shumë se 100 punëtorë aktualë në Mbretërinë e Bashkuar në pikat e ushqimit të shpejtë McDonald's.

Një hetim nga BBC gjatë një periudhe pesë mujore, duke kontaktuar me punonjësit për përvojat e punës rezultoi në 100 akuza nga stafi, 31 në lidhje me sulmin seksual dhe 78 në lidhje me ngacmimin seksual. Gjithashtu nga hetimi u zbuluan 18 raste racizmi, ndërsa 6 persona kanë ngritur pretendime për homofobi.

Pas hetimit kompania e McDonald's tha se kishte "dështuar" dhe "kërkoi thellësisht falje". Kompania shtoi se të gjithë punonjësit meritonin të punonin në një vend pune të sigurt, të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Rastet në hetim përfshijnë:

Një punonjëse 17-vjeçare në Cheshire, e cila thotë se një koleg 20 vjet më i madh se ajo, i kërkoi t'i tregonte organin seksual të tij dhe tha se donte të bënte një fëmijë "bardh e zi" me të.

Një ish-punëtore e cila ishte 17 vjeç kur një menaxher i lartë në një restorant në Plymouth, i dërgoi asaj imazhe seksuale. Një menaxher në Hampshire i kërkonte një punëtoreje 16-vjeçare të kryente akte seksuale. Një menaxher preu me thikë një 16-vjeçare fillestare në një restorant Cheshire, duke u përpjekur t'i ushtronte presion për të bërë seks.

Një grua tha se përballej me shaka raciste në një degë në Aberdeen. Menaxherët meshkuj dhe anëtarët e ekuipazhit në një degë në Uells duke bërë shaka rreth vendosjes së basteve në para se cili prej tyre mund të flinte më parë me një punonjëse të re.

Stafi gjithashtu i ka thënë BBC-së për marrëdhëniet seksuale midis menaxherëve dhe anëtarëve më të rinj të stafit, gjë që është kundër politikës së kompanisë. Të rejat kanë përshkruar se ndjehen të gjykuara vazhdimisht për mënyrën se si dukeshin.

Rrëfimi i një 16-vjeçareje: Shkova në punë me frikë

Shelby ishte vetëm 16 vjeç kur filloi të punonte në një restorant McDonald's në Berkshire vitin e kaluar. Ajo tha se kolegët meshkuj do të përdornin ambjentin e ngushtë në kuzhinë si një justifikim për të prekur në mënyrë të papërshtatshme stafin e femrave.

"Ata do të preknin stomakun, belin, barkun. Në çdo turn që punoja, të paktën do të bëhej një koment, ose do të më preknin një dorë, ose do të ishte një gjë më e rëndë, si të më kapnin barkun, të më kapnin ijet. Derisa një ditë verën e kaluar, po qëndroja në banakun e përparmë kur një prej menaxherëve 50 vjeç, doli pas meje dhe më tërhoqi mbi vete. U ndjeva e neveritur”,-tha ajo.

Menaxherët mbyllin një sy

Një rast tjetër është ai i 17-vjeçares Chinyere në Cheshire, e cila u ngacmua seksualisht dhe racialisht nga një burrë shumë më i moshuar. Ajo fillimisht i ngriti ankesat në një kolege femër që ishte përgjegjëse për mirëqenien e stafit. Ajo i tha asaj që të injoronte sjelljen e burrit dhe të kthehej në punë. 

Pas muajsh ngacmimesh, Chinyere i tha njerkut të saj, i cili i shkroi selisë së korporatës dhe policisë. Më pas burri u pushua nga puna. Chinyere beson se nëse njerku i saj nuk do të kishte ndërhyrë, asgjë nuk do të kishte ndodhur. McDonald's i përshkroi përvojat e saj si "të neveritshme dhe të papranueshme" dhe kërkoi falje pa rezerva. Ai tha se ndërmori veprime të shpejta sapo çështja erdhi në vëmendje dhe se burri u pushua nga puna brenda tre ditësh.

Një punëtore tjetër në Birmingham, e cila thotë se ishte goditur nga një koleg mashkull kur ishte 19 vjeç, e raportoi menjëherë te menaxheri i saj. Pavarësisht se ajo u kap në kamera dhe kishte një mavijosje të dukshme, ajo u detyrua të vazhdonte të punonte me të.

Disa punëtorë thanë gjithashtu se kur u bënë ankesa për menaxherët, ata u zhvendosën nga një restorant i McDonald's brenda ekskluzivitetit në një tjetër, në vend që të pushoheshin nga puna. Punonjës të tjerë thanë se nuk u ankuan pasi nuk mund të rrezikonin të humbnin punën. 

Akuzat për ngacmime seksuale në McDonald's u shfaqën për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar pesë vjet më parë kur Sindikata e Bukëpjekësve, Ushqimit dhe Punëtorëve Aleatë (BFAWU) tha se mori 1000 ankesa.

mcdonald\\\\\\\\\\\\\\\'s

Sondazh

Poll