Politike

SKANDALI në "oborrin" e tij, Rama 'merret' me opozitën: I mirëpres gjylet e baltës së tyre, po i mbyt nga frika e drejtësisë

Në një Live në Facebook, Rama ka deklaruar se opozita janë turpi dhe mallikimi i këtij vendi.

14 Korrik 2023, 18:47 Nga k.m
SKANDALI në "oborrin" e tij, Rama 'merret' me
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama duke folur për Arben Ahmetajn, nuk ka ngurruar që të merret dhe me opozitën. Në një Live në Facebook, Rama ka deklaruar se opozita janë turpi dhe mallikimi i këtij vendi. Ndërkohë që ka shtuar se po i mbyt frika e drejtësisë. 

"Ata që janë në një garë të ethshme për gjak derisa era e nënvedit po i mbyt nga frika e drejtësisë. I mirëpres gjylet e baltës së tyre. Ata që duhet të ishin opozita e këtij vendi, janë turpi dhe mallkimi i këtij vendi. Nuk habisin më askënd," tha Rama.

PJESË NGA FJALA E RAMËS:

Atyre që njihen botërisht si armiq të Reformës në Drejtësi apo si matrapazë publikë të luftës për drejtësi, të cilët janë në një garë të ethshme mesveti për gjak, për baltosjen tonë nga të katër anët apo për vetëngushëllim, teksa era e nënvedit po i mbyt nga frika e drejtësisë, u them se i mëshiroj për ultësinë e qenies së tyre dhe i mirëpres me durimin më të madh gjylet e baltës së tyre. Fatkeqësisht ata që duhet të ishin opozita e këtij vendi, janë turpi dhe mallkimi i vjetër më shumë se njëshekullor i Shqipërisë, po fatmirësisht nuk habisin po as nuk bindin më askënd, mëkatarë të mëdhenj dhe shpirtra të ndrydhur, me të cilët merret populli shqiptar si askush tjetër nuk merret dot, sa herë që kanë kurajo e dalin të kërkojnë vota prej tij, gjithnjë e më të kërrusur, gjithnjë e më të vrerosur, gjithnjë e më të humbur, nën peshën e boshllëkut të tyre.

Kjo nuk është as dita për t’i thënë dobësitë dhe të metat e punës së organeve të reja të drejtësisë, as për t’i shprehur shqetësimet mbi problematikat e mprehta të veprimtarisë së tyre të re. Kjo është dita për t’u kujtuar të gjithëve edhe njëherë, se gjithë çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe fakti se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, të pushtetshmit po humbasin pushtetin mbi drejtësinë – përtej të tëra rezervave që të gjithë mund të kenë, për arsye të ndryshme, këndvështrime të ndryshme, SPAK-u, Gjykata Speciale – e ka zanafillën pikërisht tek kjo shumicë që qeveris vendin, tek vullneti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, tek këmëngulja e grupeve të saj parlamentare dje dhe sot, tek vendimmarrja jonë, më e guximshmja në historinë politike shqiptare të këtyre tre dekadave, për t’i hyrë detit në këmbë, në kërkim të një drejtësie për Shqipërinë, për shqiptarët dhe me shqiptarët. Të qartë se o i hyjmë ne, o kurrë nuk bëhet. Të bindur se vetëm ne mund t’i hyjmë dhe ta bëjmë.

edi rama

Sondazh

Poll