Art&Argëtim

Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet

Radio Tirana filloi transmetimin e emisioneve më 28 nëntor të vitit 1938, Mbreti Zog përmes një ceremonie inauguroi stacionin e parë radiofonik në Shqipëri me fuqi 3 kilovat dhe me valë të shkurtra 40 metra e pagëzuar me emrin Radio-Tirana.

7 Korrik 2023, 13:54 Nga k.m.

 

Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet
Radio Tirana

 

TIRANË- Ish-godina e Radio Tiranës, e cila ka statusin "monument kulture" do të restaurohet. Lajmin e bëri me dije ministrja e Kulturës Elva Margariti me anë të një postimi në rrjetet e saj sociale, sipas së cilës projekti për restaurimin është miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

"Një lajm i mirë për trashëgiminë kulturore! Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet! Në mbledhjen e tij më të fundit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi projektin për restaurimin e këtij objekti, monument kulture i kategorisë II. E ndërtuar midis viteve 1928-1930, ndërtesa e dikurshme e Radio Tiranës dhe më pas e Institutit të Kulturës Popullore është një nga vilat e para moderne në qytet. Aktualisht ajo paraqet dëmtime të shumta në çati, fasadë, dysheme, dyer, dritare, në elementë të brendshëm e të jashtëm. Ndërhyrjet e miratuara në KKTKM, janë konform ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” dhe në respekt të statusit të monumentit. Ato konsistojnë në restaurime të çatisë dhe dyshemesë, fasadës, vendosjen e dyerve dhe dritareve të reja, restaurimin e kapiteleve, pastrimin dhe lyerjen e kangjellave, plotësimin me sistem hidraulik e elektrik, sistemimin e oborrit të jashtëm etj,"-shkruan Margariti në Facebook. 

Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet

Radio Tirana filloi transmetimin e emisioneve më 28 nëntor të vitit 1938, Mbreti Zog përmes një ceremonie inauguroi stacionin e parë radiofonik në Shqipëri me fuqi 3 kilovat dhe me valë të shkurtra 40 metra e pagëzuar me emrin Radio-Tirana.

Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet

Në mikrofonin e kësaj radioje kanë kaluar zëra nga më të njohurit në artin dhe kulturën shqiptare si Marije Kraja (soprano), Tonin Guraziu (pianist), Tefta Tashko Koço (soprano), Merita Sakoli (soprano), Lola Gjoka (soprano), Dhora Leka (redaktorja e parë), Kaliopi Plasari (spikerja e parë), Haki Bejleri (spikeri i parë), Viktori Xhaçka, Kristaq Andoniu, Sterio Spase, Mihal Popi, Besim Lubonja, Kadri Roshi, Reshat Arbana, Vera Zheji, Piro Naçe, Hamdi Sulçebej e mjaft të tjerë.

Radio Tirana ka qenë "Akademia" e parë e gjuhës letrare shqipe duke e ruajtur dhe kultivuar atë. Përmes emisioneve të saj informative njohëse, edukative dhe kulturore, ajo ka luajtur një rol të pa zëvëndësueshëm në përçimin e vlerave kulturore të popullit shqiptar.

Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet

Veç vlerave të saja artistike dhe kulturore, kjo radio përmban një vlerë kombëtare, arkivin në të cilën ndodhen zëra unike siç është një fjalim i poliedrikut shqiptar Fan Stilian Noli si dhe zëri i 'ambasadorit' të artit shqiptar Aleksandër Moisiu.

Radio Tirana vazhdoi të transmetonte edhe gjatë pushtimit italian, por gjatë pushtimit gjerman, në 17 nëntor 1943, radioja ra në duart e pushtuesve. Në vitin 1948, periudhë e aleancës politike me Bashkimin Sovjetik, e gjithë vila u sekuestrua nga Bashkia e Tiranës. Pas konfiskimit godina vazhdoi të mbajë emrin “Radio Tirana” deri në vitin 1965, vit në të cilin radio u transferua në selinë e re të ndërtuar midis viteve 1962 dhe 1963. Më pas, në të njëjtën godinë u vendos Instituti i Kulturës Popullore. Pasi humbi funksionin e saj, godina u braktis dhe u la në degradim.

radio tirana

Sondazh

Poll