Bota

​ARBK shfuqizon vendimin për pezullimin e licencës për Klan Kosovën

Lajmin e ka bërë të ditur televizioni kosovar, i cili theksoi se procesi pranë institucioneve të Republikës së Kosovës në lidhje me certefikatën e biznesit është përmbyllur në mënyrë të rregullt dhe ligjore. 

21 Qershor 2023, 16:33 Nga a.l
​ARBK shfuqizon vendimin për pezullimin e licencës për Klan
Klan Kosova

KOSOVË- Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve ka shfuqizuar vendimin për pezullimin e licencës për televizionin Klan Kosova më datë 14 qershor. Lajmin e ka bërë të ditur televizioni kosovar, i cili theksoi se procesi pranë institucioneve të Republikës së Kosovës në lidhje me certefikatën e biznesit është përmbyllur në mënyrë të rregullt dhe ligjore. 

“Sot, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka bërë shfuqizimin e vendimit të saj për suspendimin e certifikatës së biznesit”, njoftoi Klan Kosova.

Vendimin e sotëm, ARBK-ja e ka përcjellë në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe në Klan Kosova.Klan Kosova ka bërë shkresë zyrtare drejtuar KPM, në mënyrë që t’i njoftojë për korrigjimet e bëra dhe vendimin e ri të ARBK-së.

“Klan Kosova falënderon të gjithë ata që u angazhuan që ky proces administrativ të shkojë sipas ligjit, që janë ambasadat e QUINT-t të akredituara në Kosovë, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore të të drejtave të njeriut, medias, gazetarëve dhe lirisë së shprehjes, si dhe veçanërisht të gjitha mediat dhe kolegët tanë gazetarë për solidarizimin pa asnjë hezitim”, tha Klan Kosova.

Po ashtu, Klan Kosova ka falënderuar institucionet e shtetit, ARBK-në dhe KPM-në, për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar në trajtimin e çështjes. 

Më datë 14 qershor, Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë i ka pezulluar certifikatën e biznesit televizionit “Klan Kosova”. Me anë të një njoftimi për mediat, Ministria deklaron se për këtë televizion është dorëzuar një kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda, me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. 

klan kosova

Sondazh

Poll