Aktualitet

Kontrollet në MEK/ Prokuroria e Durrësit nis hetimet për dhunën brenda kampit të muxhahedinëve

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për dhunën brenda kampit të muxhahedinëve

20 Qershor 2023, 19:28 Nga DOSJA
Kontrollet në MEK/ Prokuroria e Durrësit nis hetimet për
dhuna brenda kampit

DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për dhunën brenda kampit të muxhahedinëve. Bëhet me dije se Prokuroria ka nisur një hetim lidhur me atë çfarë ndodhi paraditen e sotme brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. 

Prokurori i Durrësit, Sokol Nishani, po heton lidhur me pretendimet e muxhahedinëve për dhunë nga ana e policisë, por dhe pretendimet e policisë për dhunë të ushtruar nga ana e muxhahedinëve. Pritet që të merren në pyetje dhe shumë persona. Mijëra forca të policisë ndërhynë për të ushtruar kontrolle në kampin Ashraf 3 në Manzë të Durrësit, ku qendrojnë prej vitit 2014 muxhahedinët, ose të njohur si opozita iraniane. 

Kontrollet nisën në orët e para të së martës, dhe erdhën pas dyshimeve se brenda kampit ushtroheshin aktivitete në shkelje të marrëveshjes së vitit 2014, por edhe që cënojnë sigurinë kombëtare dhe që lidhen me aktivitete terroriste. 

Kryepolici Muhamet Rrumbullaku ka dhënë detaje nga operacioni në kampin e muxhahedinëve në Manzë. Në konferencën e përbashkët me Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, ai u shpreh se gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe sekuestruar 96 njësi kompjuterike si dhe disa shkresa, të cilat në momentin e operacionit, muxhahedinët kanë tentuar t’i djegin. 

Nga ana tjetër ai theksoi se policia ka rënë pre e dhunës nga ana e tyre, me një bilanc prej 15 efektivësh të dëmtuar, të cilët janë në spital për ndihmë mjekësore. Ai tha se do të dalin urdhër-ndalime për anëtarët që ushtruan dhunë dhe drejtuesit që nuk bashkëpunuan. “Kemi identifikuar personat e përfshirë në sulmin ndaj policisë. Përkundrejt identifikimit dhe pamjeve, policia e ka pasur të gjithë zonën nën monitorim me dron. Do dalin masat e ndalimit për personat e përfshirë në dhunë, edhe për drejtuesit që nuk bashkëpunuan për çështjen. Janë konstatuar veprime nga ana e individëve të veçantë, për të asgjësuar dhe larguar ato ç'ka kërkohej mbi bazën e vendimit të gjykatës".

Sondazh

Poll