Bota

“Demokracia vdes në errësirë”/ Televizionet solidarizohen me 'Klan Kosovën', shfaqin në ekran MOTON në mbështetje të MEDIAS

Për këtë rast kanë reaguar edhe Bashkimi Evropian dhe ambasadorët e QUINT’it.

19 Qershor 2023, 21:28 Nga a.l
“Demokracia vdes në errësirë”/ Televizionet
Motoja

KOSOVË- Katër televizione të mëdha, T7, RTV Dukagjini, RTV 21 dhe Kanal 10 janë solidarizuar me Klan Kosovën, pasi Ministria e Tregtisë vendosi disa ditë më parë që t’i pezullonin certifikatën e biznesit. Forma me të cilën janë solidarizuar këto televizione është duke vendosur në ekran për 5 minuta moton “Demokracia vdes në errësirë“.

“Në shenjë solidarizimi me kolegët e Klan Kosova, pas vendimit të MINT për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi, disa nga mediet kryesore në vend: RTV Dukagjini, T7, RTV21, Kanal10, sonte në orën 20:00, kanë vendosur për pesë minuta në ekranet e tyre moton “Demokracia vdes në errësirë! #betejaemedias”, reagon Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Për këtë rast kanë reaguar edhe Bashkimi Evropian dhe ambasadorët e QUINT’it.

“Të shqetësuar për vendimin e MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova, janë shprehur edhe organizatat e ndryshme të lirisë së medias në botë, Bashkimi Evropian, dhe ambasadorët e QUINT-it në Kosovë. AGK-ja, bën thirrje që të gjitha palët e përfshira t’i japin kohë procesit të kompletimit të dokumentacionit të Klan Kosovës për KPM-në”, thuhet në deklaratën e AGK-së.

Më datë 14 qershor, Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë i ka pezulluar certifikatën e biznesit televizionit “Klan Kosova”. Me anë të një njoftimi për mediat, Ministria deklaron se për këtë televizion është dorëzuar një kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda, me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. 

klan kosova

Sondazh

Poll