Aktualitet

Reshjet e dendura të shiut "pushtojnë" Korçën dhe Mallakastrën, përrenjtë dalin nga shtrati, banorët bllokohen për shkak të dëmtimit të urave

Moti i keq me reshje të dendura ka sjellë probleme në mbarë vendin, duke shkatërruar banesa e rrugë

17 Qershor 2023, 15:28 Nga m.s
Reshjet e dendura të shiut "pushtojnë" Korçën
Dalja e përrenjve në Zemblak të Korçës

KORÇË- Moti i keq me reshje të dendura ka sjellë probleme në mbarë vendin, duke shkatërruar banesa e rrugë. Si pasojë e daljes së përrenjve në Zemblak të Korçës, shumë banesa janë dëmtuar. Fshati Zemblak është një nga fshatrat që pati më shumë pasoja sa i përket shirave dhe daljes nga shtrati të përrenjve. Përveç infrastrukturës rrugore e cila ka dëme të mëdha pasi nga mali kanë zbritur masiv me inerte, disa banesa janë dëmtuar. 

Dje në terren zbritën grupet e verifikimit për të bërë të mundur evidentimin e dëmeve në këtë fshat. Duke iu referuar shefit të Emergjencave Civile, në këtë fshat janë evidentuar 5 banesa të dëmtuara dhe dëmtime të bazës ushqimore në fshatin Shamoll. 

Grupet e punës në terren kanë vijuar punën për orë të tëra, duke bërë të mundur pastrimin e kanalit kryesor kullues në këtë fshat. Për të përballuar këtë situatë jo vetëm në fshatin Zemblak, por edhe në fshatrat e tjerë Shamoll, Belorta, Kuç i Zi, Plase, Vranisht, Pilur dhe Bitinckë janë angazhuar në total rreth 200 forca dhe 32 mjete. 

Nga të dhënat nga Bashkia Maliq, dëme ka patur dhe në bujqësi. Të hënën do të zhvillohet në prefekturë një takim me të gjithë aktorët institucionalë, për raportimin e dëmeve dhe për koordinimin sa më të mirë të punës në vazhdim. 

Reshjet e dendura të shiut kanë "pushtuar" edhe Mallakastrën. Reshjet me intensitet të lartë të ditës së djeshme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në Bashkinë e Mallakastrës. Reshjet kanë dëmtuar urat në fshatin Metoh, dy nga tre nga të cilat përgjatë degëzimit të lumit Gjanicë në Mallakastër kanë sjellë bllokimin e lëvizjes së banorëve të zonës, e duke izoluar të gjithë këtë territor. 

Reshjet e dendura të shiut "pushtojnë" Korçën

Kjo rrugë dhe urat lidhin Mallakastrën me fshatin Sinjë të Beratit, ndërsa është një aks i përdorur gjerësisht nga banorët e zonës. Urat janë ndërtuar rreth 4 vite me parë, por sipas banorëve, cilësia e dobët e punimeve ka sjellë edhe dëmtimin e këmbëve të urës. Aktualisht është duke u punuar për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të urave, si dhe për të rikthyer lëvizjen normale të banorëve të zonës dhe jo vetëm. Në lidhje me këtë situatë, kreu i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj është shprehur se shirat kanë qenë me intensitet të pazakontë për këtë stinë.

Sondazh

Poll