Bota

'Lëndime në trup dhe në kokë'/ 9 gazetarë dhe kameramanë u sulmuan me gurë e lëndë plasëse nga serbët në Leposaviç, Policia e Kosovës jep detaje

Si pasojë e sulmeve me lëndë plasëse ata kanë marrë disa lëndimë trupore dhe aktualisht ndodhen në qendrat spitalore për të marrë trajtim mjekësor.

17 Qershor 2023, 11:11 Nga a.l
'Lëndime në trup dhe në kokë'/ 9 gazetarë dhe
Gazetarët

KOSOVË-  Nëntë gazetarë e kameramanë kanë mbeytur të plagosur pas sulmit të djeshëm nga protestuesit serbë në Leposaviç. Policia e Kosovës njofton se ngjarja ka ndodhur teksa gazetarët ishin në krye të detyrës gjatë vizitës së Ministrit Elbert Krasniqi në Komunën në Leposaviç. 

Si pasojë e sulmeve me lëndë plasëse ata kanë marrë disa lëndimë trupore dhe aktualisht ndodhen në qendrat spitalore për të marrë trajtim mjekësor.

“Njëri nga viktimat dyshohet të ketë lëndime të rënda (frakturë në dorë) është udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm”, ka njoftuar Policia.

Rasti është cilësuar si “LËNDIM I RËNDË TRUPOR /ASGJËSIM APO DËMTIM I PASURISË /SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR”.

“Rruga APJ, Leposaviç 16.06.2023 – 14:24. Nëntë persona (pesë meshkuj dhe katër femra) gazetarë e kameraman janë sulmuar fizikisht nga një grup i protestuesve derisa ishin duke kryer detyrën gjatë vizitës së një ministri të qeverisë në komunën e Leposaviçit. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar trajtim nga ekipi mjekësor në stacionin policor në Leposaviç. Njëri nga viktimat dyshohet të ketë lëndime të rënda (frakturë në dorë) dhe i njëjti është udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm. Përveç sulmit të dyshuarit kanë marrë nga një gazetare një telefon celular dhe një kamerë të RTK-së. Rasti është iniciuar në konsultim me prokurorin dhe mbetet në hetime të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe 'Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës' (AGK) të cilët kanë njoftuar se ekipet e gazetarëve nga Prishtina kanë rënë pre e një sulmi brutal, nga protestuesit në Leposaviç, teksa ata ishin në krye të detyrës. Sipas AGK-së, kameramani i shërbyesit publik, Radio Televizionit të Kosovës, Bardh Bekteshi është sulmuar fizikisht dhe ka marrë lëndime të rënda në kokë e trup.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Sipas një deklarate për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, B. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë”, ka thënë Xhoxhaj për AGK-në.

I lënduar nga sulmi ka mbetur edhe Albin Rrahmani, kameraman i Tëvë1.

“Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë AGK -ja.

Ky asociacion ka njoftuar se në mesin e të lënduarve është edhe gazetari i Arbresh.info, Pleurat Salihu, të cilit sulmuesit ia kanë thyer krahun. Ndërkaq, gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi, është sulmuar me gurë në kokë.

Në njoftimin e saj, AGK-ja gjithashtu ka theksuar se sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviç, ka ndodhur në prani të trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. AGK-ka ka thënë se për të gjitha sulmet ndaj gazetarëve, të cilat kanë ndodhur gjatë raportimeve të tyre nga veriu i vendit, do të informojnë organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias. 

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll