Aktualitet

“O jetën, o punën”/ KPA merr VENDIMN, përjashtohet për 15 vite nga sistemi i drejtësisë prokurori Besnik Cengu

Në mars të këtij viti KPK vendosi me shumicë votash të pranojë kërkesën e prokurorit të Tiranës, Besnik Cengu për të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar ndaj tij pa një vendim përfundimtar.

13 Qershor 2023, 18:04 Nga k.m.
“O jetën, o punën”/ KPA merr VENDIMN, përjashtohet
Besnik Cengu

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur këtë të martë të 13 qershorit të përjashtojë me 15 vite nga sistemi i drejtësisë, prokurorin e Tiranës, Besnik Cengu. Vendimi u mor pasditen e sotme nga trupa gjykuese e përbërë nga: Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin.

Kolegji gjithashtu vendosi ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit Besnik Cengu, për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15 – vjeçare.

Në mars të këtij viti KPK vendosi me shumicë votash të pranojë kërkesën e prokurorit të Tiranës, Besnik Cengu për të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar ndaj tij pa një vendim përfundimtar. Kjo me pretendimin se do të dilte në pension të parakohshëm. Por vendimi i marrë prej tij u ankimua nga komisioneria publike Irena Nino, e cila i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të vendosë ndalimin 15-vjeçar për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë.

Ky qëndrim u mbajt edhe nga vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Ish-prokurori i Tiranës e cilësoi ankimin e Komisionerit Publik si të pabazuar në ligj dhe në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore.

“Unë kam statusin e pensionistit dhe jo të magjistratit,”- tha ai.

Siç bëri me dije BIRN, ish-prokurori bëri një kronologji të gjatë të problemeve të tij shëndetësore dhe nënvizoi se deri sa e kishte mbajtur statusin i ishte përgjigjur në mnëyrë korrekte kërkesave të institucioneve të vetingut dhe hetimit administrativ të KPK-së, edhe pse kishte qenë i shtruar në spital. Ai nënvizoi se isuficenca kardiake ja kishte bërë të pamundur ushtrimin e detyrës.

“Nuk e kam refuzuar detyrën, po kam qenë në pamundësi,”- tha ish-magjistrati – në dukje i fyer nga ankimi i Komisionerit Publik, ndësa shtoi se kishte qenë i detyruar të zgjidhte ‘o jetën, o punën.'

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 16/2023, datë 24.04.2023 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 629, datë 03.03.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Cengu. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b”, e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 629, datë 03.03.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në këtë mënyrë:

i.Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit Besnik Cengu, me funksion prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

ii.Në zbatim të pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit Besnik Cengu, për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15 – vjeçare.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 13.06.2023.

Besnik Cengu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Ai punoi prej vitit 2005 deri në nëntor të vitit 2012 si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

besnik cengu

Sondazh

Poll