Bota

'Propozimet tona u përfshinë'/ BE-ja mirëpret miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë

BE i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të harmonizojë rregulloret zgjedhore me ligjet e reja në mënyrë që të përgatitet për zbatimin e kornizës së re ligjore përpara zgjedhjeve të ardhshme.

8 Qershor 2023, 19:44 Nga a.l
'Propozimet tona u përfshinë'/ BE-ja mirëpret miratimin
BE

Miratimi i Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës është mirëpritur nga Bashkimi Evropian. Përmes një reagimi zyrtar, BE shprehet se në Ligjin e ri janë përfshirë edhe propozimet e tyre. 

“BE-ja në Kosovë është e lumtur të shohë se shumica e këtyre rekomandimeve tanimë janë përfshirë në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.

Në korrik të vitit 2022, Kuvendi themeloi Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, i cili e përfundoi me sukses dhe me konsensus punën e tij më 5 prill 2023.

“Komisionin e përgëzojmë për punën profesionale dhe gjithëpërfshirëse”, vijon komunikata e BE-së.

BE i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të harmonizojë rregulloret zgjedhore me ligjet e reja në mënyrë që të përgatitet për zbatimin e kornizës së re ligjore përpara zgjedhjeve të ardhshme.

“Gjithashtu kemi parasysh se disa nga rekomandimet teknike duhet të zbatohen në vazhdimësi dhe theksojmë se vlerësimi i përgjithshëm do të mund të bëhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme. Përmirësimi dhe forcimi i procesit zgjedhor është një veçori e përhershme në çdo demokraci si dhe kërkesë e vazhdueshme për demokracitë në zhvillim. Kjo duhet të bazohet në gjetjet dhe rekomandimet nga zgjedhjet paraprake që synojnë që në të ardhmen të sigurojnë zgjedhjet më të lira, më të drejta dhe më transparente, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftimin e BE-së.

BE-ja në Kosovë e ka mbështetur Komisionin Ad-Hoc, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e Kosovës në këtë proces dhe premton se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. 

tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll