Sport

‘Akti’ i fundit dramatik i kampionatit të 84-t të Shqipërisë, ja verdiktet…

Partizani në Champions League, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia në Conference League. Erzeni do të luajë në ‘play-off’ me Korabin. Bylisi shoqëron Kastriotin në Kategorinë e Parë

29 Maj 2023, 18:40 Nga DOSJA

‘Akti’ i fundit dramatik i kampionatit të 84-t të

TIRANE - Partizani shpallet kampion i Shqipërisë për herë të 17-të në historinë e tij edhe pse me pikë të barabarta me Tiranën, të dyja me nga 67, pas 36 javësh, por me avantazhin e përballjeve direkte për ‘të kuqtë’ që mbajnë vendin e parë.

Në ndeshjet e fundit të luajtura, në “Arenën e Demave” të kuqtë fituan përballë Teutën me shifrat 2-0, duke fituar titullin dhe nga ana tjetër, duke nxjerrë jashtë Europe “Djemtë e Detit”, të cilët zbresin me këtë rezultat nga vendi i katërt në të gjashtin.

Sa i përket takimit Rrapaj (38’) e zhbllokoi atë në pjesën e parë, ndërkohë që në fundin e ndeshjet Cara (90’+7) shënon golin e dytë, duke mos i dhënë asnjë shpresë djemve të Edi Martinit, që rastin më të mirë për të shënuar në këtë ndeshje, e kishin në fundin e saj, ku penalltia e Kallakut u prit nga portieri Rexhepi.

Nga ana tjetër në “Niko Dovana” të Durrësit, skuadra bardheblu mes shumë problemeve me dënimet dhe dëmtimet, ia del ta mbyllë sezonin me fitore, duke qëndruar aty në të njëjtën kuotë me Partizanin, falë fitores 2-1 me Erzenin, i cili tashmë zbret në zonën e ‘play out’-it, ku i duhet të luaj një ndeshje shtesë me Korabin për të kompletuar sezonin me qëndrimin ose jo në Superiore.

Haxhiu hapi serinë e golave në minutën e 36-të për Tiranën, ndërkohë që Ademi që në pjesën e parë barazpeshoi shifrat në 1-1. Në kohën shtesë të së dytës ishte Kristal Abazaj (90’+7) ai që shënoi golin e fitores 2-1 për Tiranën.

‘Akti’ i fundit dramatik i kampionatit të 84-t të

Ndërkohë, nga i gjithë ky konfuzion lëvizjesh në tabelë, përfitoi Vllaznia, e cila fundos Bylisin, duke e zbritur një kategori më poshtë pas fitores 2-1 dhe njëkohësisht duke u ngjitur vetë në vendin e katërt, që përkthehet me një pjesëmarrje në Europë për shkodranët.

Në takimet e tjera, Laçi mundi me shifrat 3-0 Kastriotin, i cili e kish siguruar më parë rënien nga kategoria, ndërkohë që Kukësi fiton me Egnatian me shifrat minimale 1-0 për t’i shpëtuar ndeshjes së ‘play-out’-it.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll