Aktualitet

Arrestohet në Marok vrasësi portugez i Ardian Nikulajt

Policia e Shtetit njofton se po bashkëpunojnë me autoritetet në Rabat me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë të Saraivës.

8 Maj 2023, 20:29 Nga F.M
Arrestohet në Marok vrasësi portugez i Ardian Nikulajt
Ruben Saraiva dhe Ardian Nikulaj

MAROK- Portugesi Ruben Saraiva, 28-vjeçari që akuzohet se ka ekzekutuar biznesmenin Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur më 19 prill në Shëngjin, është arrestuar në Marok. Policia e Shtetit njofton se po bashkëpunojnë me autoritetet në Rabat me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë të Saraivës. Ndaj 28-vjeçarit është caktuar masa e sigurisë 'arrest me burg' nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Njoftimi nga Policia e Shtetit:

Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj. Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë. Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.

SI NDODHI VRASJA?

Ardian Nikulaj u vra më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin. Porositës dhe organizator është Edmond Haxhia i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit. Për këtë ngjarje mbetet në kërkim Harry Simpson, i akuzuar gjithashtu si bashkëpunëtor.

Ruben Saravia iku nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Nuk dihet se çfarë rruge ka ndjekur portugezi për të mbërritur deri në Marok. Britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, ata kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva./Dosja.al

ardian nikulaj ruben saraiva

Sondazh

Poll