Aktualitet

Shtohen rastet me virozat e stinës, mbi 120 vizita në ditë në urgjencën e Elbasanit

Virozat kanë shtuar fluksin e të prekurve në urgjencën e spitalit të Elbasanit.

1 Maj 2023, 15:13 Nga m.s

Shtohen rastet me virozat e stinës, mbi 120 vizita në ditë

ELBASAN- Virozat kanë shtuar fluksin e të prekurve në urgjencën e spitalit të Elbasanit. Numri i pacientëve është në rritje, ku vetëm në urgjencën e spitalit të Elbasanit kryhen rreth 120 vizita në ditë, dhe të prekur janë të gjitha grupmoshat.

Shefi i këtij shërbimi, Ergys Mici, ka thënë për “Ora News” se luhatja e temperaturave gjatë ditës është arsyeja kryesore e rritjes së numrit të pacientëve me këto simptoma.

Ergys Mici, mjek: “Fluksi në këtë periudhë ka qenë rreth 100–120 raste, në mos edhe më tepër”.

Simptomat më të shpeshta janë të vjella dhe diarreja. Ergys Mici, mjek: “Në këtë periudhë kemi raste të shtuara të formave virale, ose enterovirozat të cilat janë me shenjat e diarresë dhe të vjella. Po ashtu, në këtë periudhë janë të shfaqura shumë dhe format gripale me rrufë, apo bllokim të rrugëve ajrore të sipërme”.

Më shumë kujdes duhet të kenë të sëmurët kronikë, të cilëve mbivendosja e virozave do t’ua përkeqësonte shëndetin.

Ergys Mici, mjek: “Ne si urgjencë këshillojmë që raste të tilla që janë kronike, duhet të kenë kujdes sidomos rastet kardiake, rastet me astmë bronkiale, të cilët duke u agravuar vështirësia e frymëmarrjes atëherë medoemos duhet të paraqiten në urgjenca dhe të marrin shërbimin sa më shpejt tek mjeku”.

Stina e pranverës, veç virozave, ndikon edhe në përhapjen e alergjive, dhe të rrezikuar janë të gjitha grupmoshat, sqarojnë mjekët. Për të parandaluar prekjen nga viroza këshillohet që qytetarët të tregohen të kujdesshëm në konsumimin e ushqimeve dhe të përdorin sa më shumë lëngje.

Të vjella, me raste temperaturë, diarre, e dhimbje stomaku e barku janë disa nga shenjat më të shpeshta të virozës për të cilat ka ankesa. Diarretë në fakt hasen në çdo periudhë të vitit, por në stinën e verës janë më të shpeshta nga temperaturat e larta, por edhe përhapjes më të shpejtë të infeksioneve, nga qarkullimi i baktereve, por edhe mungesa e higjienës. Bashkë me diarretë shfaqen edhe të vjella. Si rezultat i humbjes së ujit dhe kripërave minerale me të vjella dhe diarre, shkaktohen çrregullime të metabolizmit dhe qarkullimit të gjakut. /Dosja.al 

elbasan gripi temperaturat

Sondazh

Poll