Ekonomi

Kreditimi po i reziston rritjes së normave të interesit

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për muajin mars kredia e re kishte vlerën e 28 miliardë lekëve, në rënie me vetëm 0.5% krahasuar me marsin e vitit të kaluar.

28 Prill 2023, 07:26 Nga I.A
Kreditimi po i reziston rritjes së normave të interesit
Foto ilustruese

TIRANË- Kredia e re për ekonominë pësoi një rënie shumë të lehtë në muajin mars dhe në pjesën e parë të këtij viti po reziston në nivele të kënaqshme, pavarësisht rritjes së normave të interesit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për muajin mars kredia e re kishte vlerën e 28 miliardë lekëve, në rënie me vetëm 0.5% krahasuar me marsin e vitit të kaluar.

Për të gjithë tremujorin e parë të vitit, kredia e re për ekonominë shqiptare arriti vlerën e 63.8 miliardë lekëve, në rënie me 2.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, në krahasimin e shifrave të kredisë së re duhet pasur parasysh edhe efekti i kursit të këmbimit. Në fund të muajit mars të këtij viti, kursi i euros ndaj lekut rezultonte i zhvlerësuar me pothuajse 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po të shohim statistikat, rreth 58% e kredisë për tremujorin e parë është dhënë në monedhën euro. Nëse e zhveshim këtë shumë nga efekti negativ i kursit të këmbimit, kredia për ekonominë do të rezultonte në rritje krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Shuma e kredisë për muajin mars është ndikuar ndjeshëm nga kthimi i kreditimit në vlera të konsiderueshme për kompanitë publike, për një shumë prej rreth 3.6 miliardë lekësh. Kjo ka bërë që për të gjithë tremujorin e parë, kredia për korporatat publike të kthehet në vlera të përafërta me një vit më parë.

Ndërkohë, kredia për bizneset private në tremujorin e parë u mbyll me shifra në rënie krahasuar me një vit më parë, me 11% më pak. Rënia ka ardhur kryesisht nga segmenti i kredisë në lekë, ku rritja e normave të interesit ka qenë më e ndjeshme. Ndërkohë, kredia në euro ka vijuar të rritet, madje edhe duke përfshirë efektin negative të kursit të këmbimit.

Kredia e re për individët, ndërkohë, vazhdon të shfaqë ritme relativisht të larta të rritjes, me 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në segmentin e individëve rritja po vjen kryesisht nga kredia në euro, që ka shënuar një rritje shumë të lartë me 60% krahasuar me një vit më parë.

Kreditimi i ekonomisë duket se po i rikthehet rritjes, pavarësisht ciklit me natyrë shtrënguese të politikës monetare. Norma bazë e interesit në harkun e një viti është rritur nga 0.5% në 3%.

Norma bazë për euron është rritur edhe më shumë, në 3.5%, por kjo rritje në tregun shqiptar duket të jetë përcjellë më pak, edhe për shkak të mungesës së shumë alternativave për investimin financiar në monedhën europiane. Kjo ka bërë që depozitat në euro të vazhdojnë rritjen dhe bankat të vijojnë kreditimin me kushte tërheqëse.

Tendencat pozitive të kredisë së re kanë bërë që edhe portofoli total ose teprica e kredisë për ekonominë në muajin mars t’i kthehet rritjes, pas pesë muajsh radhazi në rënie. Në fund të marsit, vlera totale e portofolit në 711 miliardë lekë, në rritje me 1.1 miliardë lekë krahasuar me shkurtin.

Me bazë vjetore, rritja e portofolit të kredisë ka zbritur në 4%. Kjo masë rritje është më e ulët krahasuar me nivelet e regjistruara vitin e kaluar, por është ndikuar në një masë të konsiderueshme nga efekti i mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit.

kredia

Sondazh

Poll