Ekonomi

Biokarburantet në transport, gati draftligji i ri që vendos kushtet për rritjen e përdorimit

Në një draftligj të ri Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë vendos kufizimet e reja për përdorimin e biokarburanteve

28 Prill 2023, 07:22 Nga I.A
Biokarburantet në transport, gati draftligji i ri që vendos kushtet
Foto Ilustruese

TIRANË- Objektivi për përdorimin e Burimeve të Energjisë së Rinovueshme prej 38 për qind ka bërë që të rikthehet vëmendja edhe një herë tek sektori i transportit që është një nga kontributorët më të mëdhenj në emisionin e gazeve.

Në një draftligj të ri Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë vendos kufizimet e reja për përdorimin e biokarburanteve.

Shqipëria ka një ligj që lidhet me prodhimin, transportin dhe tregitimin e biokarburanteve por që sikurse pranohet dhe në dokumente nuk ka gjetur zbatim për shkak të zvarritjes së akteve nënligjore.

Sipas draftit sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, duhet të jetë jo më pak se 5 për qind të sasisë të konsumuar në sektorin e transportit në vitin 2024. Nga viti 2025 e në vazhdim, kjo sasi do të jetë jo më pak se 10%;

“Ligji ka qëllim promovimin e kontributit në përmbushjen e angazhimeve për emisionet e gazeve që vijnë nga konsumi i hidrokarbureve në këtë sektor. Për Shqipërinë, transporti është kontribuesi më i madh i CO2 dhe në përmasat e vendit, ndikon në ndryshimet klimatike. Ligji parashikon objektiva, afate kohore dhe role me përgjegjësi të përcaktuara qartë.

Ligji biokarburanteve i vitit 2008, i cili përfshin dispozita që synojnë mbështetjen e përdorimit të Burimeve të Energjisë së Rinovueshme në Transport nuk është zbatuar siç kërkohet (në ligj) vërtet në praktikë. Kjo për shkak se aktet nënligjore që duhej të dilnin për të mundësuar implementimin e këtij ligji nuk janë miratuar dhe për rrjedhojë objektivat e përcaktuara në të kanë qenë të pamundura për t’u realizuar. Nga ana tjetër edhe legjislacioni evropian ne sektorin e burimeve te rinovueshme, ka pësuar disa here ndryshime” thuhet në relacionin që shoqëron draftin e nxjerrë për konsultim.

Qeveria pranon se përparësia bazë e këtij projektligji është promovimi nëpërmjet politikave stimuluese, jo vetëm për prodhimin e biomasës në bujqësi, pasi është parashikuar përmbushja e kritereve të qëndrueshmërisë, por edhe në teknologjinë e prodhim-përpunimit në mënyrë që në total të arrihet qëllimi i përcaktuar në Objektivin Kombëtar të konsumit të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë. Objektivat e vendosura në ketë projektakt janë të përshkallëzuar në mënyrë të tillë që edhe efektet ekonomike që shkakton zëvendësimi i një pjese të karburanteve në transport me biokarburante të jenë të pranueshme.

“Nga ana tjetër pritet që të nxitet prodhimi i lëndëve të para për prodhimin e biokarburanteve duke zbatuar kriteret e qëndrueshmërisë, të cilat njohin si lëndë të para energjetike, së pari, mbetjet me origjinë bimore dhe ato urbane; së dyti, përdorimin e tokës, sipas kritereve përkatëse, për prodhimin e produkteve si lëndë e parë energjetike sipas kufizimeve të përcaktuara në këtë ligj dhe së treti transferimin e tyre në vende të tjera me certifikatë të gjelbër” thuhet në relacion.

Marrë nga Monitor.al

biokarburantet

Sondazh

Poll