Bota

Aplikimi i Kosovës në KiE dhe takimi më 2 maj në Bruksel, Kurti bisedon me përfaqësuesit diplomatikë të Francës, Italisë dhe Gjermanisë

Në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për takimin në Bruksel me 2 maj.

26 Prill 2023, 21:54 Nga a.l
Aplikimi i Kosovës në KiE dhe takimi më 2 maj në Bruksel,
Albin Kurti dhe përfaqësuesit diplomatikë të Francës, Italisë dhe Gjermanisë

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Kosovës Matthias Conrad. Në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për takimin në Bruksel me 2 maj.

“Dy ditë pas votës së suksesshme për kalimin e fazës së parë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Matthias Conrad”, thuhet në njoftimin  e zyrës për informim të Kryeministit.

Bëhet e ditur se Kurti falënderoi përfaqësuesit diplomatikë për mbështetjen e tyre dhe të vendeve të tyre ndaj Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si një ndër hapat më madhor të Republikës sonë që pas shpalljes së pavarësisë.

Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Planit të Zbatimit, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e tij për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike. Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës së nivelit të lartë politik, ai tha pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara. Ndërkohë që theksoi sjelljet dhe veprimet e njëpasnjëshme të Serbisë të cilat bien ndesh dhe shkelin Marrëveshjen Bazë, marrëveshje kjo që ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, krahas shteteve tjera anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetje që kryeministri Kurti u kërkoi që të vazhdojnë ta kenë deri në zbatimin e plotë të saj”, thuhet në njoftim.​ 

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës votoi me mbi 2/3 e votave të shteteve anëtare pro procedimit të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Europës. Me këtë hap, Kosova përmbylli fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Europës. Pas kësaj, Asambleja Parlamentare do të diskutojë dhe votojë në një takim të radhës për një raport të cilin do ta përgatisë vetë. Raporti mund të shqyrtohet në qershor ose tetor. Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022.

kosova ne kie

Sondazh

Poll