Aktualitet

Padia e PD-së, Gjykata Kushtetuese kalon 'topin', shfuqizon vetëm një nen: Bord i Karburanteve nuk shkrin dot veten, e ka në dorë qeveria

Vijimi i Bordit do të jetë në duart e qeverisë.

18 Prill 2023, 20:40 Nga F.M
Padia e PD-së, Gjykata Kushtetuese kalon 'topin', shfuqizon
Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ia ka kaluar ‘topin’ qeverisë për shkrirjen e Bordit të Karburanteve. Në dispozitivin e publikuar në faqen zyrtare bëhet me dije se ka pranuar pjesërisht padinë e bërë nga Partia Demokratike duke shfuqizuar vetëm një nen që deri më tani e lejonte Bordin që të vendoste se kur përfundon ‘situata e veçantë’ që nënkupton ngritjen dhe jetëzimin e vetë Bordit. Tashmë, kjo gjë do të jetë në duart e Këshillit të Ministrave, të vetë qeverisë.

Bordi me 12 anëtarë, pesë prej të cilëve janë përfaqësues të shoqërive hidrokarbure u ngrit përmes të firmosur nga qeveria më 12 mars të vitit 2022, për caktimin e çmimit të karburanteve. Koha ku u ngrit ishte vetëm një muaj pas luftës së nisur në Ukrainë që solli dhe rritjen e çmimit të karburanteve, kryesisht të naftës.

Por, Opozita e ka kundërshtuar gjithmonë ngritjen e këtij bordi dhe 29 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike depozituan padinë përmes të cilës kërkonin shfuqizimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve. Ata u shprehën se asnjë prej Bordeve nuk i ka ruajtur interesat e qytetarëve dhe se ai i Karburanteve cënonte lirinë ekonomike e parimin e konkurrencës në treg. Sipas PD-së, në asnjë prej përbërjeve të bordit nuk ka asnjë konsumator, që të mbrojë të drejtat e tyre.

Njoftimi: 

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë . Shfuqizimi i ligjit nr. 42/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 8, datë 25.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë .

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

gjykata kushtetuese bordi i karburanteve

Sondazh

Poll