Aktualitet

Me 13 emigrantë nga India dhe Bangladeshi, arrestohet 66-vjeçari nga Shkodra, të huajt do i linte në kufi me Malin e Zi

66-vjeçari po i dërgonte drejt kufirit me Malin e Zi, në këmbim të një pagese, me qëllim që ata të kalonin në vendet e BE-së. 

13 Prill 2023, 09:59 Nga F.M
Me 13 emigrantë nga India dhe Bangladeshi, arrestohet 66-vjeçari nga
Policia e Shkodrës

SHKODËR- Agim Kasapi, banues në Shkodër është vënë në pranga pasi është kapur me 13 emigrantë nga India dhe Bangladeshi. Në njoftimin e policisë bëhet me dije se 66-vjeçari është ndaluar në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “Beltojë”. Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi furgonit që drejtohej nga Kasapi dhe pas kontrollit, kanë zbuluar emigrantët. 66-vjeçari po i dërgonte drejt kufirit me Malin e Zi, në këmbim të një pagese, me qëllim që ata të kalonin në vendet e BE-së. 

Njoftimi i policisë Shkodër:

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Aksi” u arrestua në flagrancë shtetasi Agim Kasapi Finalizohet operacioni policor i koduar “Aksi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Shkodër.

U kap në flagrancë duke transportuar, kundrejt pagesës, drejt kufirit me Malin e Zi, 13 shtetas të huaj që i kishte marrë në Sarandë, vihet në pranga drejtuesi i automjetit.  Sekuestrohen automjeti (furgon), 2 aparate celulare, 22 000 lekë dhe 450 euro. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionit policor të koduar “Aksi”.

Gjatë operacionit, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “Beltojë”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit (furgon) me drejtues shtetasin A. K. Në këtë automjet ishin pasagjerë 13 shtetas të huaj (nga Bangladeshi dhe India), të cilët dyshohet se shtetasi A. K. i kishte marrë në Sarandë dhe po i transportonte, kundrejt pagesës, në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim që ata të kalonin në vendet e BE-së. 

Automjeti tip “Huyndai” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare, 22 000 lekë dhe 450 euro.  Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 66 vjeç, banues në Shkodër.  Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

policia e shkodres agim kasapi

Sondazh

Poll