Bota

Gjoba 110 mln euro ndaj Becchetit/ PD: Rama ka beteja të hapura edhe me dy pronarë të tjerë mediash

PD deklaron se janë me qindra milionët që shteti shqiptar humbet në gjykatat ndërkombëtare për arsye të vendimeve të pamenduara, arbitrare të qeverisë.

5 Prill 2023, 18:12 Nga I.A
Gjoba 110 mln euro ndaj Becchetit/ PD: Rama ka beteja të hapura edhe me dy
Floriana Garo

TIRANË- Partia Demokratike ka komentuar lajmet se Agon Channel ka fituar gjyqin në arbitrazh ndaj Shqipërisë. Zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo ka deklaruar se shteti shqiptar i detyrohet Francesco Becchettit edhe 145 mijë euro të tjera që do t’i shtohen 110 milionëve të eurove, pas mbylljes së televizionit nga kryeministri Edi Rama. PD deklaron se janë me qindra milionët që shteti shqiptar humbet në gjykatat ndërkombëtare për arsye të vendimeve të pamenduara, arbitrare të qeverisë.

"Edhe 145 mijë euro të tjera do t’i shtohen 110 milionëve që shteti shqiptar i detyrohet Françesko Beketit pas vendimit arbitrar të Edi Ramës për mbylljen e televizionit në pronësi të tij. Një gjykatë ndërkombëtare nuk e ka pranuar kërkesën e qeverisë për anulimin e vendimit të arbitrazhit duke ia ngarkuar shtetit shqiptar edhe shpenzimet e gjyqit. Kjo e rrëzon përfundimisht pretendimin e Ramës se Beketi nuk e ka fituar gjyqin, dhe se shteti shqiptar nuk i detyrohet biznesmenit italian. Ajo që mbetet është fakti se nga arka e shtetit do të dalin 110 milionë euro për një marrëzi qeveritare. E gjitha me oreksin e Ramës për të mbyllur gojët që nuk këndojnë refrenin që ai dëshiron të dëgjojë.

Vendimi mund të ketë qenë i Ramës, por kostot i merr përsipër taksapaguesi shqiptar. Të jemi të qartë: Rama nuk paguan asnjë kacidhe për vendimin që ai vetë e ka marrë. Shuma do të dalë nga arka e shtetit, thënë ndryshe nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. Kështu ndodh kur qeveria merr vendime që dëmtojnë, jo vetëm lirinë e shprehjes, por edhe kursimet publike. Janë me qindra milionët që shteti shqiptar humbet në gjykatat ndërkombëtare për arsye të vendimeve të pamenduara, arbitrare të qeverisë. Përveç Beketit me 110 milionë, Edi Rama ka beteja të hapura edhe me dy pronarë të tjerë mediash, të cilët i kanë dërguar në arbitrazh abuzimet e qeverisë ndaj tyre. Qeveria është në të drejtën e vet të bëjë betejat e saj, por vetëm për të mirën publike, jo inate personale, dhe jo me paratë e taksapaguesve. Partia Demokratike po përgatit dosjen për “rastin Beketi” dhe raste të tjera të arrogancës dhe abuzimeve trashanike të Ramës, për të cilat kanë paguar e po paguajnë qytetarët shqiptarë," tha Garo.

Ç'lajm u publikua sot?

U raportua se Agon Channel ka fituar përfundimisht përballjen me qeverinë shqiptare për mbylljen arbitrare të televizionit. Sipas vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, qeveria shqiptare i detyrohet tashmë dhe duhet t’i paguajë Becchettit 108 milionë dollarë. Lajmi se Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015, ka dalë që në vitin 2021, por edhe atëherë është mohuar nga Rama. Sipas tij, gjyqi vazhdon por nuk bën dot publike të dhëna pasi mund të përdoren kundër në Gjykatë.

Becchetti kishte kërkuar 650 milionë euro dëmshpërblim, pasi prokuroria shqiptare sekuestroi pronat e biznesmenit italian, përkatësisht televizionin Agon Channel, kryeministri e pati akuzuar publikisht Becchettin për pastrim parash. Ndërkohë që në Shqipëri, biznesmeni italian Francesco Becchetti është shpallur fajtor për katër akuza nga Gjykata e Tiranës dhe është dënuar me 17 vite burg. Ai u shpall i fajshëm për: “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

floriana garo francesco becchetti

Sondazh

Poll