Bota

Musk kërkoi pauzë në zhvillimin e 'AI', ankohet Gates: Nuk e kuptoj kush mund ta ndalojë përparimin?

Gates tha se nuk është e qartë se si do të funksiononte pauza në zhvillimin e AI në nivel global dhe sugjeroi që potenciali i inteligjencës artificiale duhet të përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme.

5 Prill 2023, 07:57 Nga A.B
Musk kërkoi pauzë në zhvillimin e 'AI', ankohet Gates:
Bill Gates

SHBA- Bashkëthemeluesi dhe filantropisti i Microsoft, Bill Gates, tha se një pauzë në zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), e kërkuar nga kreu i Twitter Elon Musk dhe më shumë se 1000 ekspertë, nuk është një zgjidhje për sfidat e paraqitura nga kjo teknologji.

Në një intervistë me Reuters, Gates tha se nuk është e qartë se si do të funksiononte pauza në zhvillimin e AI në nivel global dhe sugjeroi që potenciali i inteligjencës artificiale duhet të përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme.

"Inteligjenca artificiale sjell përfitime të mëdha, kjo është e qartë, dhe ne duhet të identifikojmë fushat e zhvillimit të inteligjencës artificiale që mund të jenë problematike. Unë nuk e kuptoj se kush mund të ndalojë zhvillimin e AI. A do të pajtohej çdo vend për një pushim të tillë"-tha Gates, duke shtuar se ka shumë mendime të ndryshme për këtë temë.

Ky është komenti i parë publik i Gates pas letrës së hapur nga Musk dhe një grup ekspertësh dhe drejtuesish të inteligjencës artificiale në këtë industri, të cilët kërkuan të paktën një pauzë gjashtëmujore në zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Personat që nënshkruan letrën, e publikuar nga instituti jofitimprurës "Future of life", kërkojnë një moratorium për zhvillimin e AI deri në arritjen e protokolleve të përbashkëta të sigurisë për arritje të tilla.

'Sistemet e fuqishme të inteligjencës artificiale duhet të zhvillohen vetëm kur të jemi të bindur se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe kur mund të menaxhojmë rreziqet që ato përmbajne'- thuhet në letër.

bill gate inteligjenca artificiale elon musk

Sondazh

Poll