Bota

Ambasadori amerikan në Serbi: Shkëmbimi i territoreve s’është në axhendë, SHBA dhe Brukseli s’besojnë se mund të bëhet paqësisht

Pasi tha se dialogu nuk parasheh reciprocitet në çështjen e trajtimit të komunitetit shqiptar në Serbi dhe atij serb në Kosovë, Hill tha se shkëmbimi i territoreve mund të ishte fatal, duke e cilësuar këtë çështje si temë e shekujve të kaluar.

29 Mars 2023, 09:31 Nga I.A
Ambasadori amerikan në Serbi: Shkëmbimi i territoreve
Christopher Hill

SERBI- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill nga Lugina e Preshevës ka thënë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është në agjendën e Washingtonit. Pasi tha se dialogu nuk parasheh reciprocitet në çështjen e trajtimit të komunitetit shqiptar në Serbi dhe atij serb në Kosovë, Hill tha se shkëmbimi i territoreve mund të ishte fatal, duke e cilësuar këtë çështje si temë e shekujve të kaluar. Hill tha se ajo për çfarë duhet të brengosen, është se si njerëzit të mund të besojnë dhe të ndjehen që mund të lëvizin lirshëm nëpër rajon dhe të mos bllokohen vetëm në një vend të caktuar.

“Unë nuk besoj dhe e di me siguri që shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendën e Shteteve të Bashkuara. E di se kjo ka qenë një temë e shekujve të kaluar, jo vetëm në Europë, por edhe në vendet tjera, por shkëmbimet e territoreve mund të jenë shumë fatale dhe mund të përfundojë që shumë njerëz të mbesin të palumtur me këtë. Vendimet që janë marrë në shekullin 20 kanë qenë shumë të vështira. Askush në Bruksel, askush në Washington dhe askush në rajon.. vetëm pak njerëz ndoshta mund të besojnë se shkëmbimi i territoreve do të bëhej në mënyrë paqësore”, tha Hill.

Në takimin e 18 marsit në Ohër, kryeministri i Kosovës Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç ranë dakort për një marrëveshje paraprake për të zbatuar të gjitha dispozitat e Marrëveshjes dhe Aneksit të propozuar nga BE. Marrëveshja me 11 nene nuk e detyron Serbinë që të njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.

christopher hill

Sondazh

Poll