Aktualitet

Nisin aplikimet për subvencionin e naftës, fermerët në Korçë, Lushnje e Shkodër ngjeshen në radhë: S'marrim vesh online

Madje një prej fermerëve është shprehur se akoma nuk kanë marrë subvencionin e naftës për vitin e kaluar.

20 Mars 2023, 11:35 Nga k.m.
Nisin aplikimet për subvencionin e naftës, fermerët në
Pamje nga radhët në Korçë

KORÇË- Dita e parë e aplikimeve për subvencionin e naftës ka shkaktuar radhë në Korçë, Shkodër dhe në Lushnje. Siç duket edhe nga pamjet, mëngjesin e sotëm, dhjetra fermerë janë vendosur pranë zyrave të drejtorive të tre qyteteve, në pritje për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e naftës. Të paktën mbi 300 persona kanë kërkuar shërbim për 1 orë në dy pikat e hapura në Lushnjë. 

Nisin aplikimet për subvencionin e naftës, fermerët në
Pamje nga radhët në Lushnje

Ndërsa në Korçë, drejtori i zyrës vendore, Vullnet Gjolla u ka bërë thirrje fermerëve që të mos shpejtohen pasi ka afat deri në 20 ditë dhe aplikimet bëhen edhe online në çdo moment. Por disa prej tyre, nuk duan të rrezikojnë duke u nisur nga eksperienca që kanë pasur një vitë më parë. Duke folur për kamerat e Euronews Albania, fermerët janë ankuar se përveç radhës së gjatë dhe orëve të shumta në pritje ata kanë edhe një problem tjetër, subvencioni i naftës nuk është i mjaftueshëm.

Madje një prej fermerëve është shprehur se akoma nuk kanë marrë subvencionin e naftës për vitin e kaluar.

“Naftën kemi të vitit të kaluar që nuk e kemi marrë. Erdha këtu, pastaj nuk më merrnin në telefon. Unë ja dhashë kartën e identitetit, nuk më morën në telefon. Kam ardhur shpesh herë po nuk ma kanë dhënë,"-tha një prej tyre.

Ndërsa në Shkodër, në dy pikat e aplikimit, fermerët shprehen njëzëri se është e vështire të aplikosh.

“Di unë ca bëjnë këta brenda, njëhere thonë s’ka internet, njëherë nuk ka sistem. Shikojeni vetë kallaballëk. Ne bëjmë bereqaves për aq. Duhet të kishte pika më të afërta, mos të lodheshin njerëzit deri këtu, të bllokohen këtu,”- u shprehën fermerët.

Këtë të hënë u hapën aplikimet për fermerët që synojnë të subvencionohen me naftë në bujqësi. Ndryshe nga një vit më parë, këtë herë skema e subvencionimit të karburantit vendos disa kritere kufizuese siç është sipërfaqja e tokës, e cila duhet të jetë mbi 1 hektarë, të jetë me dokumente pronësie apo kontrata qiraje etj. Ndonëse aplikimi bëhet dhe në e-Albania, shumë fermerë thonë se nuk mund ta kryejnë këtë proces online, ndaj paraqiten fizikisht pranë agro-pikave. Aplikim do të vijojë deri ne datë 11 prill, ndërsa në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3.3 miliardë lekë, e kësaj herë nuk do jenë përfitues vetëm fermerët, por edhe blegtorët, bletarët dhe peshkatarët.

subvencioni i naftes korce

Sondazh

Poll