Bota

Kurti bisedë telefonike me Chollet: I bëra me dije se jemi të përkushtuar që takimi në Ohër të përfundojë me sukses

Kurti ka bërë me dije se me Cholletin biseduan për rëndësinë e takimit në Ohër ditën e nesërme dhe përkushtimin e Kosovës që ky raund i dytë i bisedimeve të përfundojë me sukses. 

17 Mars 2023, 21:28 Nga a.l
Kurti bisedë telefonike me Chollet: I bëra me dije se jemi të
Albin Kurti dhe Derek Chollet

MAQEDONI E VERIUT- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Ohri ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Përmes një postimi në 'Twitter', Kurti ka bërë me dije se me Cholletin biseduan për rëndësinë e takimit në Ohër ditën e nesërme dhe përkushtimin e Kosovës që ky raund i dytë i bisedimeve të përfundojë me sukses. 

Diskutuam rëndësinë e kësaj fundjave për Kosovën, rajonin, integrimin euroatlantik dhe sigurinë. Theksova se jemi të përkushtuar që e nesërmja të jetë e suksesshme”, ka shkruar Kurti. 

Takimi në Ohër 

Në takimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përveç delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë që do të takohen nën ndërmjetësimin e BE-së do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit. Escobar më 17 mars në Prishtinë u takua me krerët shtetërorë dhe u shpreh optimist për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Escobar, tha se në Ohër delegacioni i Kosovës udhëton me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë. Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

albin kurti derek chollet

Sondazh

Poll