Sport

Superiorja/ Erzeni rikthehet te fitorja pas pesë ndeshjesh, e 'shtrin përtokë' Egnatian

Pas këtij suksesi, Erzeni shkon në kuotën e 36 pikëve, duke u pozicionuar menjëherë pas Egnatias që ka një pikë më tepër

10 Mars 2023, 18:40 Nga DOSJA
Superiorja/ Erzeni rikthehet te fitorja pas pesë ndeshjesh, e 'shtrin

DURRES - Erzeni rikthehet te fitorja pas pesë ndeshjesh, duke mundur me rezultatin 2-1 Egnatian. Skuadra shijakase triumfoi në një ndeshje me emocione ndaj të besuarve të Edlir Tetovës, që humbën mundësinë për të barazuar Tiranën dhe Partizanin në vendin e parë.

Sistemi VAR ishte protagonist në disa episode. Në të 27-ën, Zejnullai ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj Ademit, por nëse kryesori vijoi lojën fillimisht, pas rishikimit të pamjeve, vendosi të akordonte penallti për vendasit, që u kthye në gol nga Kahrimanoviç.

Momenti i Erzenit, që vetëm pas 5 minutash shënoi dhe golin e dytë. Alan ekzekutoi një goditje dënimi, por Sherri nuk e largoi siç duhet topin, duke i dhënë mundësinë Nonatos që të dyfishonte rezultatin.

Megjithatë, pa u mbyllur pjesa e parë, Duamena arriti që të ngushtonte diferencën e golave, duke kthyer në gol një harkim nga këndi. Pjesa e dytë ishte më e ekuilibruar, por Erzeni arriti që të shënonte përsëri me Nonaton, por këtë herë VAR sinjalizoi një pozicion të parregullt, duke lënë në fuqi rezultatin 2-1, që nuk ndryshoi deri në fund.

Pas këtij suksesi, Erzeni shkon në kuotën e 36 pikëve, duke u pozicionuar menjëherë pas Egnatias që ka një pikë më tepër. Në të njëjtën kuotë me shijakasit janë dhe shkodranët që kanë një ndeshje më pak. Pas këtij rezultati, gara për zonën europiane, por dhe mbijetesën bëhet akoma dhe më e ashpër.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll