Bota

Lajçak pas takimit me Kurtin: Janë përmbushur pritshmëritë e mia

Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, teksa ka folur para gazetarëve ka thënë se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

9 Mars 2023, 18:16 Nga I.A
Lajçak pas takimit me Kurtin: Janë përmbushur
Miroslav Lajçak

KOSOVË- Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se vizita e sotme në Kosovë ishte konstruktive dhe shumë e dobishme. Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, teksa ka folur para gazetarëve ka thënë se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me kryeminstrin Kurtin patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është të marrë informatat e nevojshme se si Kosova e sheh zbatimin e marrëveshjes dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë drejtim”, ka theksuar Lajçak.

Ai tutje ka thënë se të hënën dhe të martën do të qëndrojë në Beograd me të njëjtin qëllim, për të parë se si ata e shohin zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Shpresoj të jemi të gatshëm të nxjerrim një dokument në takimin e Ohrit, por në këtë moment nuk mund të them më shumë për shkak se takimet po vazhdojnë. Me kryeministrin Kurti kemi diskutuar saktësisht për atë çfarë kam ardhur dhe tash di shumë më shumë për sa i përket pritshmërive nga ana e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes”, ka shtuar Lajçak.

Në pyetjen e gazetarëve nëse do të ketë ceremoni nënshkrimi të marrëveshjes në Ohër dhe nëse ajo duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, Lajçak ka thënë se tash për tash “ne po fokusohemi tek finalizimi e pastaj vijmë tek formalizimi”.

Do të arrijmë edhe tek ajo, por hapi i dytë është njëherë finalizimi. Siç thuhet e kalojmë atë urë kur të arrijmë atje dhe shpresojmë që të arrijmë të nënshkruajmë në Ohër. Sa i përket parlamentit ai është pjesë e kësaj sepse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Të dyja palët i kanë procedurat e brendshme që duhet ndjekur”, ka nënvizuar Lajçak.

miroslav lajçak dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll