Bota

Franca kërkon më shumë PAUND, Rishi Sunak vihet nën presion, deputetët: Ke dështuar! I ke parë si i përdorin paratë tona? Emigrantët vetëm shtohen

Sunak është nën presionin e deputetëve konservatorë, të cilët kanë vënë në pikëpyetje vlerën dhe efektivitetin që kanë sjellë për paratë e marrëveshjeve të mëparshme me Francën.

9 Mars 2023, 17:58 Nga F.M
Franca kërkon më shumë PAUND, Rishi Sunak vihet nën presion,
Rishi Sunak

BRITANI E MADHE- Kërkesa e Francës për të marrë më shumë para nga Britania e Madhe për monitorimin e plazheve dhe ndalimin emigrantëve të paligjshëm ka sjelë debate të forta mes deputetëve në MB. Kryeministri Rishi Sunak është nën presionin e deputetëve konservatorë, të cilët kanë vënë në pikëpyetje vlerën dhe efektivitetin që kanë sjellë për paratë e marrëveshjeve të mëparshme me Francën. Tim Loughton, deputeti konservator për East Worthing dhe Shoreham, u shpreh se qeveria ka dështuar me planin e ndërmarrë, duke shtuar se paratë e dhëna nuk kanë shërbyer sa duhet për aq kohë sa në Angli vijojnë të futen emigrantë të paligjshëm.

"Takspaguesi britanik ka subvencionuar bujarisht policinë franceze për disa vite, gjatë së cilës kohë ne kemi parë një rritje të konsiderueshme të numrit të emigrantëve që arrijnë të shmangin masat e marra prej tyre. E vërteta është se policia franceze nuk do t'i arrestojë ata emigrantë në plazhe, kështu që ata do të kthehen përsëri natën tjetër me një gomone tjetër për të provuar përsëri, derisa të kenë fat,”- tha ai. E njëjta gjë dhe për gomonet që futen në ujë. Ata nuk do t’i ndalojnë dhe nuk do të pranojnë kthimin mbrapsht të emigrantëve të paligjshëm. Nëse masat do të kishin funksionuar, emigrantët do të arrestoheshin dhe gomonet që nisen, pavarësisht se janë futur në ujë. Kjo me të vërtetë do të shkatërronte tregtinë e ndyrë dhe të rrezikshme në burim dhe ne nuk duhet të transferojmë më shumë fonde në Francë derisa ata të jenë të përgatitur për të diskutuar këto masa parandaluese,”- tha ai.

Ish-udhëheqësi i Partisë Konservatore, Sir Iain Duncan Smith, i bëri jehonë kësaj çështjeje duke ngritur pyetjen: A po i subvencionojmë ata për diçka që duhet ta bëjnë vetë?

“A po përdorin dronë, gjë që duhet ta bëjnë? Ata vazhdojnë të thonë se nuk mund të patrullosh çdo plazh, por një dron që të mundëson dhe shikimin natën mundet. Sa po i përdorin paratë tona për të investuar në atë lloj teknologjie?"- shtoi ai.

Deputeti konservator i Stoke-on-Trent North tha për Times: Nuk jam i befasuar kur dëgjoj që francezët po kërkojnë përsëri paratë e taksapaguesve britanikë për të bërë punën e tyre.

“Francezët duhet të jenë të gatshëm të përdorin paratë e tyre për të parandaluar njerëzit që udhëtojnë nëpër Francë deri në bregdetin e tyre verior për të tentuar futjen ilegale në MB,”- shtoi ai.

Prej ditësh bëhet thirrje nga Qeveria e Britanisë së Madhe e cila ka paralajmëruar grupet e trafikantëve që kalojnë emigrantë të paligjshëm përmes kanalit të La Manshit. Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak dhe Suella Braverman kanë paralajmëruar se do të fusin në fuqi projektligjin e ri që synon të lërë jashtë shqyrtimit të gjitha format e kërkesave për azil që janë bërë nga ata emigrantë që futen në vend përmes gomoneve.

Rishi Sunak dhe Braverman do të udhëtojnë për në Paris të premten për të folur rreth krizës së emigrantëve. Gjatë muajve të fundit, ai ka qenë në bisedime intensive me Sektorin e Brendshëm dhe një rreth të vogël, të besuar të brendshëm të ministrave dhe këshilltarëve për të përpiluar një plan. Në vitin 2022, më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla krahasuar me 28,000 një vit më parë. Mes tyre janë raportuar se kanë qenë 10 mijë shqiptarë.

Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi.

Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu për Sky News se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat 'tufë' dhe 'pushtim', i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve.

shqiptaret ne angli rishi sunak

Sondazh

Poll