Bota

Takimi midis Biden dhe Von der Leyen, nisin negociatat për tregtinë e lirë midis BE-së dhe SHBA-së

Në qendër të mosmarrëveshjes është Akti Amerikan për Reduktimin e Inflacionit (IRA), të cilin Biden e nënshkroi vitin e kaluar dhe qëllimi i të cilit është të zbusë pasojat e ndryshimeve klimatike me një fond prej gati 400 miliardë dollarësh, kryesisht përmes një tranzicioni të gjelbër në prodhimin e energjisë elektrike dhe në industrinë e automobilave.

9 Mars 2023, 16:20 Nga I.A
Takimi midis Biden dhe Von der Leyen, nisin negociatat për tregtinë e
Von der Leyen dhe Biden

SHBA- Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti amerikan Joe Biden mund të shpallin fillimin e negociatave të tregtisë së lirë mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që nesër në Uashington, gjë që do të lehtësonte tensionet mes ekonomive të dy palëve. Në qendër të mosmarrëveshjes është Akti Amerikan për Reduktimin e Inflacionit (IRA), të cilin Biden e nënshkroi vitin e kaluar dhe qëllimi i të cilit është të zbusë pasojat e ndryshimeve klimatike me një fond prej gati 400 miliardë dollarësh, kryesisht përmes një tranzicioni të gjelbër në prodhimin e energjisë elektrike dhe në industrinë e automobilave.

Ligji parashikon investimin e miliarda dollarëve në prodhimin vendas të energjisë duke reduktuar emetimet e gazit serrë, por BE ka frikë se do të dëmtojë ekonominë e saj. Në të njëjtën kohë, ligji ofron stimuj të mëdhenj qeveritarë për kompanitë amerikane, kompanitë që prodhojnë në SHBA ose përdorin produkte amerikane. Ligji, ndër të tjera, ofron ulje bujare tatimore për konsumatorët amerikanë për blerjen e automjeteve elektrike të reja dhe të përdorura, por gjithashtu vendos rregulla strikte që prodhuesit e huaj i perceptojnë si diskriminuese.

Sipas New York Times, automjetet duhet të prodhohen të montohen në SHBA dhe lëndët e para për bateritë duhet të vijnë nga Amerika e Veriut ose nga vendet me të cilat SHBA ka një marrëveshje të tregtisë së lirë. Pavarësisht aleancës së saj të ngushtë, SHBA-ja nuk ka një marrëveshje të tregtisë së lirë as me BE-në as me Britaninë e Madhe apo me Japoninë. Sipas gazetës, zyrtarët evropianë ishin veçanërisht të pakënaqur, pasi besojnë se ligji u miratua në një kohë shumë të vështirë për ekonomitë evropiane, të prekura nga ndërprerjet e tregut për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të energjisë.

Mosmarrëveshja për ndihmën shtetërore amerikane ka kërcënuar të përshkallëzohet në një luftë subvencionesh amerikano-evropiane dhe të dëmtojë marrëdhëniet mes aleatëve në një kohë kur ata po përpiqen të mbajnë një front të bashkuar kundër Rusisë, shkruan e përditshmja amerikane. Gazeta amerikane Wall Street Journal (WSJ) vlerëson se bisedimet për marrëveshjen dypalëshe BE-SHBA do të ishin hapi i parë drejt krijimit të një grupi blerësish për prokurimin e lëndëve të para të nevojshme për tranzicionin energjetik.

Sipas gazetës, një nga qëllimet kryesore të marrëveshjeve tregtare dhe një grupi të tillë blerësish është zvogëlimi i varësisë nga lëndët e para kryesore nga Kina. Dhe ndërsa marrëveshja BE-SHBA nuk do të ishte një marrëveshje klasike e tregtisë së lirë, ajo do t'u mundësonte kompanive evropiane të plotësonin kriteret për lehtësimin e taksave dhe subvencionet e ofruara nga ligji amerikan.

Administrata Biden po përpiqet të qetësojë aleatët, por gjithashtu duhet të balancojë mes tyre dhe Kongresit që miratoi ligjin e ri IRA, i cili mund të jetë shumë i vështirë. Kjo është arsyeja pse disa zyrtarë amerikanë besojnë se fillimi i negociatave nuk do të shpallet më 10 mars, pas bisedës mes Biden dhe Von der Leyen, por vetëm pas konsultimeve me Kongresin.

ursula von der leyen joe biden

Sondazh

Poll