Politike

Kritikoi amnistinë fiskale, por Rama e futi në qeveri. Çfarë fshihet pas emërimit të Yzeirajt tek Ministria e Financave?

Yzeiraj nuk është kritiku i parë që Rama e rreshton në grupin e tij të punës. Edhe paraardhësi i tij, Kadia, doli nga selia e Partisë Demokratike, në kohën që drejtohej nga Lulzim Basha dhe u bë zëvendësministër.

8 Mars 2023, 20:56 Nga F.M
Kritikoi amnistinë fiskale, por Rama e futi në qeveri.
Endrit Yzeiraj

TIRANË- Endrit Yzeiraj, ekspert ekonomie është emri më i ri që është futur në kabinetin e qeverisë së kryeministrit Rama. Ai ka marrë postin e zëvendësministrit të Financave, duke zëvendësuar në atë post Besart Kadian, i cili është larguar për në dikasterin e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Por, Yzeiraj nuk është treguar mjaft mbështetës ndaj projekteve të kryeministrit, kryesisht në fushën e ekonomisë. Përmendim këtu amnistinë fiskale që ka hapur një debat të gjerë dhe me ndërkombëtarët. Në një analizë të bërë verën e kaluar, eksperti Yzeiraj parashtroi disa prej problematikave që kishte vënë në projektin e aministisë fiskale, që sipas tij, mund të sjellë mjaft pasoja në ekonomi.

Shqetësimi i parë, tha në atë Yzeiraj, lidhet me rrethin e të përjashtuarve, i cili është i kufizuar, ç’ka do të thotë se në radhët e kategorive që nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti, preken vetëm anëtarët e familjes.

“Në këtë mënyrë, të afërm ose miq të politikanëve, që janë përtej rrethit më të ngushtë do të lejohen të deklarojnë shuma të mëdha parash pa treguar burimin e tyre. Kjo hedh në erë të gjithë Reformën në Drejtësi dhe qëllimet e shpallura të saj,”- thoshtë Yzeiraj.

“Në aspektin afatshkurtër, nisma duket si një mënyrë për të legalizuar paratë e korrupsionit të madh në Tiranë, jo për të thithur fonde nga jashtë vendi. Kjo, pasi akti lejon që familjarë ose miq të politikanëve, që janë përtej rrethit më të ngushtë (pra, partneres dhe fëmijëve) të deklarojnë shuma të mëdha parash pa treguar burimin e tyre. Kjo hedh në erë të gjithë Reformën në Drejtësi dhe qëllimet e shpallura të saj dhe shfajëson përfundimisht të gjitha abuzimet e kryera në Shqipëri gjatë këtyre tre dekadave,”- vijonte  Yzeiraj duke shtuar me bindje se amnistia do të minonte besimin e qytetarëve dhe sipërmarrëseve, duke zhbërë çdo arsye të mundshme për të investuar në ekonominë shqiptare.

Në fakt, Yzeiraj nuk është kritiku i parë që Rama e rreshton në grupin e tij të punës. Edhe paraardhësi i tij, Kadia, doli nga selia e Partisë Demokratike, në kohën që drejtohej nga Lulzim Basha dhe u bë zëvendësministër.

Vetëm pesë muaj para zgjedhjeve që do të mbaheshin më 25 prill të vitit 2021, Rama ‘rifreskoi’ kabinetin e tij në rang zëvendësministrash dhe një prej emrave të rinj ishte edhe eksperti i ekonomisë Besart Kadia, i cili la mënjanë përplasjet në studio televizive me ministren e asaj kohe Anila Denaj, duke u bërë vartës i saj.

E shkuara i të dy ekspertëve që i bashkohen Ramës është e ndryshme, por ajo që i bashkon janë kritikat ndaj qeverisë dhe koha kur ata vendosin të bëhen pjesë e kabinetit të të njëjtit kryeministër.

Kadia erdhi para zgjedhjeve, ndërsa Yzeiraj në kulmin e debatit me ndërkombëtarët për amnistinë fiskale, të cilët kanë arritur deri në përfundimin se Shqipëria, me miratimin e kësaj nisme, rrezikon të kthehet në parajasë fiskale.

Nisur nga këto dy raste, a është kjo një manovër e kreut të qeverisë, i cili kërkon të minojë oponencën publike duke u ofruar ‘ofiqe’ të larta kritikëve? Apo kemi të bëjmë me një zgjedhje të pastër për të sjellë energji të reja në kabinet? Kjo është pyetja…

amnistia fiskale endrit yzeiraj

Sondazh

Poll