Politike

Akuzat e PD për vendimin e vulës, KLGJ: Thirrjet publike për vetëgjyqësi dhe gjuha e urrejtjes minojnë rëndë besimin te drejtësia. Mos përbaltini gjyqtarët, por ankimoni vendimet

KLGJ shton në reagim se mjeti i duhur për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit.

8 Mars 2023, 19:03 Nga F.M
Akuzat e PD për vendimin e vulës, KLGJ: Thirrjet publike për
KLGJ

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë thirrje që të ndalohet gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për vetëgjyqësi pas akuzave të hedhura ndaj trupës gjykues në Gjykatën e Apelit, që morën vendimin për vulën e Partisë Demokratike. Në një reagim zyrtar, pas akuzave të njëpasnjëshme KLGJ shkruan se aludimet për “kapje” të gjyqtarëve, referojnë elementë të korrupsionit që, në mungesë të fakteve, minojnë rëndë besimin te drejtësia dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor, referuar deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha, i cili është shprehur se vendimi i Apelit ishte urdhëruar nga kryeministri Edi Rama. KLGJ shton në reagim se mjeti i duhur për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton se ditët e fundit janë bërë deklarata nga persona publikë që shprehin pakënaqësi ndaj një vendimi të dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton me keqardhje se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të dinjitetit të gjyqtarit, një kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës. Gjuha e urrejtjes kundër gjyqtarëve është shqetësuese dhe e papranueshme. Thirrjet publike për vetëgjyqësi, ndaj një akti të pushtetit gjyqësor, pavarësisht mos dakordësisë me të, janë haptazi kundër rendit kushtetues, mbi bazën e të cilit funksionon shteti i së drejtës. Aludimet për “kapje” të gjyqtarëve, referojnë elementë të korrupsionit që, në mungesë të fakteve, minojnë rëndë besimin te drejtësia dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor. Liria e shprehjes e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nuk mbron në asnjë rast gjuhën e urrejtjes apo thirrjet për dhunë. Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit. Po ashtu, kushdo që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjellje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore sipas ligjit, ka mundësinë që rastin t’ia referojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të vlerësuar dhe vendosur nëse është vendi për fillimin e procedimit disiplinor të gjyqtarit. 

Si u dha vendimi i Gjykatës së Apelit?

Gjykata e Apelit dhe trupa gjykuese e përbërë nga relatore Elona Mihali dhe anëtarë Astrit Kalaja dhe Irida Kacerja vendosi rrëzimin e vendimit të Agron Zhukrit të datës 25 mars 2022 dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë, por me një trupë gjykuese tjetër. Tashmë vula, sigla, logoja e Partisë Demokratike i mbetet Lulzim Bashës, edhe pse avokati i PD, Indrit Sefa tha se që të hënën do të nisë me procedurat me largimin e emrit të Bashës, e më pas me regjistrimin në KQZ. Pas këtij vendimi, kryedemokrati Sali Berisha bashkë me deputetët e tij nisën akuzat dhe trupën gjykuese e konsideruar të blerë nga ryeministri Edi Rama. Nuk munguan as akuzat për përfshirjen e ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim. 

gjykata e apelit keshilli i larte gjyqesor partia demokratike

Sondazh

Poll