Aktualitet

Masakra e Paskuqanit, gazetari: Dan Hutra nuk është rehabilituar, para se të dilte nga burgu, ka dalë një raport shqetësues, duhet të kishte shërbyer si paralajmërim

Kasapi tha se ky raport duhej të kishte shërbyer si një paralajmërim, se ky person, i dënuar edhe më herët për vrasjen e gruas së tij të parë, mund të shfaqte rrezikshmëri.

7 Mars 2023, 23:14 Nga F.M
Masakra e Paskuqanit, gazetari: Dan Hutra nuk është rehabilituar, para
Gazetari Julian Kasapi

TIRANË- Gazetari Julian Kasapi ka deklaruar se vetëm 1 muaj e gjysmë para se Dan Hutra të përfundonte dënimin për dhunë në familje, ka dalë një raport nga burgu i cili e vlerësonte atë të parehabilituar, duke shtuar se edhe pasi të dilte mund të krijonte probleme. I ftuar në 'Open', Kasapi tha se ky raport duhej të kishte shërbyer si një paralajmërim, se ky person, i dënuar edhe më herët për vrasjen e gruas së tij të parë, mund të shfaqte rrezikshmëri.

“Ajo që kemi arritur të shohim më shumë se rrëfimi, është ftohtësia e një vrasësi. Para se të linte qelinë, ka një dokument lidhur me sjelljen e tij në burg, në të cilën e kanë vlerësuar negativisht, dhe kanë konkluduar se edhe jashtë burgut nuk ka siguri nëse do të ketë sjellje korrekte. Ai nuk pranonte krimin e kryer, dhe nga ana tjetër, ajo që të bën përshtypje është se në të thuhet se ky person nuk është i aftë që edhe pasi të dalë nga burgu të ketë një sjellje korrekte. Ky është si një tip paralajmërimi për këtë person që pas një muaji e gjysmë do linte qelinë. Nga ana tjetër ky person para se të arrestohej për dhunë në familje, është kapur në shtëpinë e ish-bashkëjetueses, duke i kërcënuar me thikë dhe duke u kërkuar 5 mijë euro për një drekë familjare që kishin bërë,"- u shpreh Kasapi.

Si ndodhi masakra më 1 mars?

Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi vetë Elenën e nënën e saj, Kujtime. Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje.

Arratia e Dan Hutrës mori fund pas  7 orëve kërkime. Ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës ku kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Sela, por që nuk e realizoi dot. 40-vjeçari është dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje. Në gjyq, ai nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera./Dosja.al

dan hutra jualian kasapi masakra e paskuqanit

Sondazh

Poll