Aktualitet

Rrëfehet motra e Dan Hutrës: Ish-gruaja s’e linte rehat, të hapen telefonat

Ajo tha se i vëllai, pasi kishte dalë nga burgu për dhunë në familje i kishte rrëfyer se ish-gruaja nuk e linte rehat me mesazhe dhe telefonata ku i kërkonte të takonte fëmijën, për të cilën ai dyshonte se nuk ishte i tij.

5 Mars 2023, 21:37 Nga F.M
Rrëfehet motra e Dan Hutrës: Ish-gruaja s’e linte rehat, të
Motra e Dan Hutrës

TIRANË- Motra e Dan Hutrës, i akuzuar për vrasjen e 3 grave dhe plagosjes së tre të tjerave ka treguar se shkak i masakrës në shtëpinë e ish-bashkëjetueses është fëmija që ajo lindi pak muaj më parë. Në një intervistë për emisionin Review në Euronews Albania, ajo tha se i vëllai, pasi kishte dalë nga burgu për dhunë në familje i kishte rrëfyer se ish-gruaja nuk e linte rehat me mesazhe dhe telefonata ku i kërkonte të takonte fëmijën, për të cilën ai dyshonte se nuk ishte i tij. Sipas saj duhet të kontrollohen të gjitha komunikimet telefonike mes të vëllait dhe ish-bashkëjetueses së tij për të kuptuar çfarë ka ndodhur.

“Lajmin e mësova nga vajza, më mori nga Greqia dhe tha hap TV se daja ka bërë namin, ka shkrirë një familje. Vëllai ka pasur dy javë që ka dalë nga burgu. Ka ardhur me ka takuar në Kukës. Nuk dyshonim kurrë se do ta bënte këtë. Vetëm më ka thënë, motër nuk po më lë rehat, më ka lexuar mesazhet që i ka shkruar ish-gruaja. Nuk po më lë të jetoj jetën. Më thotë hajde tako fëmijën, nuk më lë ta takoj, i kam kërkuar të bëjë test, nuk e bën. 23 ditë para se të lidheshin ajo ka qenë shtatzënë, ka kërkuar test ADN që ajo s’ia dha kurrë. Nuk ka ushtruar dhunë. Ajo ka thënë më ka dhunuar me fjalë, pse e tërhoqi deklaratën. Bëri 8 muaj burg kot. Mesazhet i keni në telefon, të hapen telefonatat, të saj dhe Danit. Pasi ka dalë nga burgu ka kërkuar ADN e fëmijës. Gjithë lufta është bërë për këtë fëmijë, edhe sot e dua ADN për atë fëmijë,”- tha motra e Dan Hutrës.

Si ndodhi masakra më 1 mars?

Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi vetë Elenën e nënën e saj, Kujtime. Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje.

Arratia e Dan Hutrës mori fund pas  7 orëve kërkime. Ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës ku kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Sela, por që nuk e realizoi dot. 40-vjeçari është dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje. Në gjyq, ai nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera./Dosja.al

dan hutra masakra e paskuqanit

Sondazh

Poll