Aktualitet

Avionët nga Kosova “së shpejti përmes Shqipërisë”, ulet çmimi i biletave

Aktualisht çmimi mestar i një bilete një-udhëtimëshe nga Kosova në shtetet e bllokut europian është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind.

1 Mars 2023, 16:04 Nga k.m.
Avionët nga Kosova “së shpejti përmes
Foto ilustruese

Që prej fundit të luftës në 1999, fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës realizohen vetëm përmes korridorit ajror që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Por në rastin e hapjes së korridorit ajror me Shqipërinë, koha e fluturimit me avion nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Europian do të reduktohej ndjeshëm dhe me shkurtimin e kohës deri në 30 minuta për vajtje-ardhje, do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave, pohoi për REL eksperti i avacionit, Albion Idrizi.

Aktualisht çmimi mestar i një bilete një-udhëtimëshe nga Kosova në shtetet e bllokut europian është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind.

Marrëveshja e Kosovës me Shqipërinë për shfrytëzimin e korridorit ajror është arritur në vitin 2020, por nuk është vënë kurrë në jetë. Ajo parashikon hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër. Nga sa shpjegon Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që duhet të miratoheshin nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së, Bujar Ejupi, thotë tani se KFOR-i e ka dhënë lejen për shfrytëzimin e pikave Kukad dhe Arbër, dhe se ato pritet të lëshohen për shfrytëzim “së shpejti”. Edhe KFOR-i vetë e konfirmon se e ka aprovuar mundësinë e hapjes së korridorit ajror, por shton se pikat Kukad dhe Arbër janë në territorin e Shqipërisë, ndërsa thekson se institucionet e aviacionit shqiptar janë autoritetet përgjegjëse për planifikimin dhe menaxhimin e hapësirës ajrore./ Top Channel

biletat e avioneve

Sondazh

Poll