Sport

Derbi i kryeqytetit mbetet në ajër…

Partizani mes dilemës së pragmatizmit për të luajtur në shtëpi, apo parave për në "Air Albania"

27 Shkurt 2023, 15:28 Nga DOSJA
Derbi i kryeqytetit mbetet në ajër…

TIRANE - Derbi i kryeqytetit edhe pse ka një javë kohë deri në ditën e zhvillimit, pasi është përcaktuar për të hënën e ardhshme në orën 19:00, ka ndezur diskutimet që tani dhe pjesa kryesore lidhet me vendin e zhvillimit të ndeshjes më të madhe të futbollit shqiptar.

Partizani prej muajsh, tashmë ka nisur t’i zhvillojë ndeshjet e tij në kompleksin më të ri sportiv që ka ndërtuar në kryeqytet. Ndonëse jo i finalizuar i gjithë projekti 100%, megjithatë, gjithçka është certifikuar sa i përket zhvillimit të ndeshjeve të Superiores atje pasi Partizani ka zhvilluar disa prej tyre.

Si skuadra pritëse, Partizani ka të drejtën e tij të vendosë se ku do të luhet ndeshja, në shtëpinë e tij, në këtë impiant fantastik, ku sigurisht nën tryesnin e tifozerisë së saj mund të ndihet më komod për t'u ndeshur me bardheblutë, në një fazë të kampionatit ku i ndajnë vetëm tre pikë njëra me tjetrën.

Me një kapacitet prej rreth 4.000 vendesh kompleksi Partizani, drejtuesit e klubit të kuq i kanë rezervuar tifozerisë së Tiranës rreth 200 bileta. Megjithatë për nga rëndësia e të dyja klubeve, historiku i përballjeve dhe atë çka kanë dhuruar tifozët në tribuna me praninë e tyre, që kanë qenë disa herë më shumë se kjo shifër, gjithmonë është preferuar arena kombëtare "Air Albania" për t'i dhënë mundësinë shumë më shumë njerëzve që ta ndjekin ndeshjen më të madhe të futbollit tonë.

Gjithashtu, herë pas here edhe tensionet e ndezuar në tribuna kanë sjellë problematika me sigurinë, çka në kompleksin e ri mbetet ende për t'u testuar për një ndeshje kaq të rëndësishme, por ky është një vendim që e konsulton edhe policia e shtetit.

Një tjetër arsye që vë në diskutim vendin e zhvillimit e ndeshjes, janë paratë. Secili klub kur ka qenë pritës, ka preferuar "Air Albanian", pasi përfitimet e tyre kanë arritur në shifra mesatare rreth 150 milionë lekë për ndeshje, çka është një përfitim i konsiderueshëm, krahasuar me përfitimet e ndeshjeve të tjera që kanë një numër të vogël ndjekësish në stadium.

Drejtuesit e Partizanit kanë marrë edhe 24 orë kohë për të vendosur dhe për të zgjedhur mes të qënurit pragmatistë, për të pritur Tiranën në "ferrin e kuq" me më shumë tifozë të tyre dhe shumë më pak të Tiranës në shtëpinë e tij, apo përfitimet financiare në një ndeshje të hapur për më shumë shikues dhe në një tjetër atmosferë siç rezervon gjithmonë derbi në "Air Albania".

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll