Politike

Debati i 2 marsit për McGonigal, Balla: Do i themi publikut disa të vërteta të mëdha

Balla tha se çdo deputet do të flasë 10 minuta.

27 Shkurt 2023, 11:13 Nga F.M
Debati i 2 marsit për McGonigal, Balla: Do i themi publikut disa të
Taulant Balla

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka deklaruar se në seancën e 2 marsit, ku do të diskutohet për dosjen e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal, do të thuhen të vërteta të mëdha. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit të PS-së, Balla tha se çdo deputet do të flasë 10 minuta. Ai shtoi ndër të tjera se ajo seancë do të sjellë bashkimin e disa kërkesave të depozituara nga Opozita. 

Pjesë nga deklarata e Ballës:

Të gjitha grupet parlamentare presin që në Kuvendin e Shqipërisë të ketë një diskutim. Çdo deputet do të ketë 10 minuta kohë, sipas kërkesës së sjellë. Mos harroni që këtu kemi të bëjmë me bashkëim të këresave, pasi mos harroni që kërkesa për mocion-debat, interpelancë dhe seanca e pyetjeve janë bashkuar. Duhet t'ju them që grupi i PS-së do të komunikojë me publikun disa të vërteta të mëdha.

Më 2 mars është vendosur mbajtja e seancës plenare për takimet e kreut të qeverisë Edi Rama me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal. Seanca do të jetë pa limit kohor dhe çdo deputet do të flasë 10 minuta. Kjo kërkesë e Opozitës u miratua pas një sërë seancash plenare të zhvilluara mes rrëmujës e kaosit. Deputetët kërkonin praninë e Ramës, ndërsa maxhoranca ijonte punimet. Debatet sollën dhe përjashtimin e shumë deputetëve të PD-së. 

Ç’ka ndodhur me dosjen e Charles McGonigal?

Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal./Dosja.al

taulant balla edi rama charles mcgonigal interpelanca per mcgonigal

Sondazh

Poll