Aktualitet

Shpërthimi me 30 kg dinamit në Sarandë, banorët të tmerruar: Desh u hodha nga ballkoni, mendova se ishte tërmet, ç’faj kemi ne

Një e moshuar shprehet se iu duk sikur u fundos pallati ndërsa një tjetër banor shprehet se ndihen të rrezikuar.

13 Shkurt 2023, 12:32 Nga F.M
Shpërthimi me 30 kg dinamit në Sarandë, banorët të
Banorët e Sarandës

SARANDË- Banorët e Sarandës janë tronditur nga shpërthimi me dinamit që solli dhe shembjen e hotelit ‘Bizanti’. Në një prononcim për mediat, një nga banoret thotë se kishte menduar që trinditja e shkaktuar ishte si pasojë e ndonjë tërmeti dhe kishte dashur të hidhej nga ballkoni. Një e moshuar shprehet se iu duk sikur u fundos pallati ndërsa një tjetër banor shprehet se ndihen të rrezikuar.

“Thashë se qe tërmet, po shpëtuam. Kemi shtëpinë e kunatit dhe djalit këtu, por shyqyr nuk ka dëme. Dyqanin këtu e ka me qira një nga Tirana dhe e lajmëruam që të vinte”, tha banorja për Report Tv.

“Ç’faj kemi ne them se na tronditën dhe bukën s’na lanë të hamë. Thamë se ra pallati, thamë se u fundos në tokë. Isha zgjuar që në 05:30 dhe rrija. Deri tani nuk kam marrë frymë, mezi shkova të marr bukë që të pi ilacet. Jemi të sëmurë e nuk mbledhim dot veten. Tërmet nuk e mendova, dukej që ishte shpërthim. Në momentin e parë dola në ballkon dhe thashë të hidhesha nga ballkoni”, tha një tjetër banore.

“E dëgjuam. Ishte shumë i madh. Ne thamë se gjëmoi,”- shtoi një banore.

“Ishte shumë i fuqishëm. Shpërthim i padëgjuar ndonjëherë. U trembëm, u ngritëm, dolëm, s’kishte gjë. Jemi të rrezikuar se ka dëme plot,”- tha një banor më tej.

Hotel ‘Bizanti’ në Sarandë u shemb me shpërthimin e 30 kilogramëve dinamit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Shkak mendohet të jetë bërë konflikti i pronësisë mes ortakëve për këtë hotel. Policia e Sarandës ka nisur shoqërimet. Një nga personat e shoqëruar është djali i një prej pronarëve, Spiro Çabiri. Gjithashtu, persona të shoqëruar në polici janë edhe familjarë të ortakut të Çabirit, Dhimitër Evangjeliu, me të cilin është në gjyq prej vitit 2002 për pronësinë e hotelit. Sipas vendimit te gjykatës 90% të hotelit i ishte dhënë Dhimitër Evangjeliut dhe nga 5% dy ortakëve të tjerë, njëri prej tyre Çabiri. Si pasojë e shpërthimit nuk ka të lënduar, por dhjetëra banesa e biznese janë dëmtuar.

shembet hoteli me tritol

Sondazh

Poll