Bota

Pas 162 orëve nën rrënoja, Ushtria e Kosovës shpëton dy persona në Turqi

Kështu ka bërë të ditur FSK-ja përmes një postimi në Facebook, ku njoftoi se pas 160 orëve është nxjerr një 50-vjeçar dhe pas 162 orëve, një vajzë 13-vjeçare.

12 Shkurt 2023, 21:31 Nga I.A
Pas 162 orëve nën rrënoja, Ushtria e Kosovës shpëton dy
Termeti ne Turqi

TURQI- Ekipet nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur t’i nxjerrin të gjallë edhe dy persona të bllokuar nga gërmadhat në Turqi. Kështu ka bërë të ditur FSK-ja përmes një postimi në Facebook, ku njoftoi se pas 160 orëve është nxjerr një 50-vjeçar dhe pas 162 orëve, një vajzë 13-vjeçare.

“Pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal, të pathyeshëm dhe të pandalshëm djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës së bashku me ekipet e ushtrisë turke, sot pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një qytetarë i gjinisë mashkull rreth moshës 45 vjeçare, dhe pas 162 orëve është nxjerr edhe një vajzë 13 vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar”, njofton FSK.

Në njoftim tutje thuhet se këto ekipe do të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”, thuhet tutje në njoftim.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e cilësoi si lajm të mrekullueshëm shpëtimin e dy personave nga pjesëtarët e FSK-së në Hataj.

“Shpresojmë se orëve në vijim pjesëtarët tanë të FSK-së të gjejnë edhe të tjerë të mbijetuar nën rrënojat e krijuara pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkroi ai në Facebook.

Dy tërmete shkatërruese goditën të hënën pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Tërmeti kryesor u pasua nga dhjetëra pasgoditje. Sipas informacioneve të fundit, më shumë se 33,000 njerëz kanë vdekur dhe shifra pritet të vazhdojë të rritet. Fillimisht jugu i Turqisë u godit nga një tërmet me magnitudë 7.8 gradë të shkallës Rihter dhe u ndje në disa vende të rajonit dhe përveç njerëzve në Turqi, viktimat më të shumta ishin në Sirinë fqinje.

termet ne turqi

Sondazh

Poll