Aktualitet

Qëllohen me armë dhe mbahen peng gazetarët e 'Fiks Fare', AMA: Rast i rëndë, autoritetet të hetojnë

AMA kërkon hetimin e detajizuar të këtij rasti si dhe nxit autoritetet ligjzbatuese që të zbardhin plotësisht dhe sa më parë rrethanat e ngjarjes, si dhe kërkon që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.

9 Shkurt 2023, 11:05 Nga A.B
Qëllohen me armë dhe mbahen peng gazetarët e 'Fiks
Pamjet nga video e Fiks Fare

TIRANË- Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka reaguar dhe dënuar rëndë dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve të Fiks Fares, të cilët ishin duke xhiruar pamjet nga gërryerja e paligjshme që po ndodhte në lumin Zezë të Niklës, në qarkun e Durrësit. Përmes një reagimi zyrtar, AMA dënon ushtrimin e dhunës fizike dhe verbale të reporteres dhe kameramanit. Sipas tyre, ngjarja e cila ndodhi në një pronë publike buzë lumit, ishte akt i papranueshëm dhe goditës për lirinë e fjalës.

AMA kërkon hetimin e detajizuar të këtij rasti si dhe nxit autoritetet ligjzbatuese që të zbardhin plotësisht dhe sa më parë rrethanat e ngjarjes, si dhe kërkon që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.

REAGIMI I AMA-s:

“Pamjet e transmetuara të mërkurën në mbrëmje (08.02.2023), në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, janë shumë shqetësuese për lirinë e ushtrimit të profesionit nga një grup xhirimi që hetonte një rast paligjshmërie në afërsi të Niklës në qarkun e Durrësit. 

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA dënon ashpër ushtrimin e dhunës verbale dhe fizike që shkoi deri dhe përdorimin e armës së zjarrit për frikësimin e reporteres dhe kameramanit, si akte të papranueshme dhe goditëse për lirinë e fjalës. Aq më tepër që ngjarja ndodhi në një pronë publike, buzë lumit, ku një grup personash kryenin aktivitet të paligjshëm me pretendimin se ishin në “pronën” e tyre.

AMA pret me padurim hetimin e detajizuar të këtij rasti të rëndë, duke nxitur autoritetet ligjzbatuese që të zbardhin plotësisht dhe sa më parë rrethanat e ngjarjes, si dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë”-thuhet në reagimin e AMA-s.

Rasti i rwndw u bw publik mbrwmjen e djeshme nw emisionin 'Fiks Fare' dhe u raportua edhe nga Dosja.al. Pasi u faktua nga media gërryerja e paligjshme e lumit dhe marrja e materialeve inerte në lumin Zezë në Nikël të Krujës, gazetarët janë përballur me persona me armë të cilët qëllonin drejt dronit. Pamje të tre personave të armatosur u transmetuan në emisionin investigativ Fiks Fare. Ata shihen në video drejtuar armët dhe qëndronin vetëm pak metra larg grupit të xhirimit, të pozicionuar në një vend që mezi dalloheshin.

Ndërkohë që gazetarët xhironin kamionët me inerte që dilnin nga lumi dhe prisnin ardhjen e policisë pas telefonatës që kishin bërë me Shefin e Komisariatit të Policisë Krujë, drejt gazetarëve shkuan dy personat e parë të cilët urdhëruan gazetarët të ikin nga aty, me pretendimin se lumi është i tyre. Pas tyre drejt gazetarëve vjen një person i maskuar, i cili tenton të marrë kamerën me xhirimet e bëra. Godet pjesëtar të grupit të xhirimit dhe i kërcënon ata me jetë. Kjo skenë ka zgjatur më shumë se 30 minuta, derisa në fund gazetarët arrijnë të largohen nga vendngjarja.

merren peng gazetaret fiks fare

Sondazh

Poll