Bota

22% mundësi të ketë ende të gjallë poshtë rrënojave/ Shpresat për të mbijetuarit po “shuhen”, të shpëtuarit: Po djegim stola për t’u ngrohur, na ndihmoni!

Në Gaziantep të Turqisë temperatura ka rënë në -5 gradë Celsius.

9 Shkurt 2023, 09:24 Nga k.m.
22% mundësi të ketë ende të gjallë poshtë
Pamje nga Turqia

TURQI- Ekipet e shpëtimit në Turqi dhe Siri vazhdojnë ende kërkimet mes të ftohtit të ashpër për të gjetur të mbijetuar në rrënojat që lanë pas dy tërmetet shkatërruese, me shpresat duke u pakësuar tre ditë pasi tërmeti shkatërrues që goditi të dy vendet tashmë ka vrarë më shumë se 16,000 njerëz. 72 orët e para janë kritike për gjetjen e të mbijetuarve. Ndërsa operacionet vazhdojnë ditë e natë, rënia e re e temperaturave, po ia bën jetën një makth për të mbijetuarit që nuk kanë ku të shkojnë. Në Gaziantep të Turqisë temperatura ka rënë në -5 gradë Celsius.

Sipas ekspertëve, dritarja e mbijetesës për ata që gjenden nën rrënoja po mbyllet me shpejtësi, por ende është shumë herët që shpëtimtarët të heqin dorë nga çdo shpresë. Eksperti i fatkeqësive, Stephen Godby tha: Shkalla mesatare e mbijetesës brenda 24 orëve është 74%, pas 72 orësh është 22% dhe në ditën e pestë është 6.

Dhe David Alexander, profesor i planifikimit dhe menaxhimit të emergjencave në University College London, tha: Statistikisht, sot është dita kur ndalojmë së gjeturi njerëz të gjallë. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndalojmë së kërkuari.

Palestrat, xhamitë, shkollat ​​dhe dyqanet kanë mirëpritur të mbijetuarit, por shtretërit janë të paktë dhe mijëra persona kalojnë netët në makinat e tyre ose në strehimore të improvizuara.

"Fëmijët tanë janë ngrirë,"-u ankua Ahmed Hussein, një baba i pesë fëmijëve, i cili u detyrua të ngrinte një strehë pranë shtëpisë së tij të dëmtuar në Gaziantep, një qytet pranë epiqendrës së tërmetit 7.8 ballë.

“Duhej të digjnim stolat e parkut dhe disa nga rrobat e fëmijëve. Nuk kishte asgjë tjetër. Të paktën të na kishin dhënë çadra,”-shtoi ai. 

Gjatë vizitës së tij në rajon, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të mërkurën pranoi se ishin bërë disa gabime në menaxhimin e katastrofës, ndërsa kritikat u shtuan.

“Sigurisht që ka pasur boshllëqe, është e pamundur të përgatitemi për një fatkeqësi të tillë,”-tha ai.

Në Siri, 3,162 të vdekur janë identifikuar deri më tani, sipas autoriteteve dhe shpëtimtarëve që punojnë në zonat e kontrolluara nga rebelët. Në zonat ku ndihma është e ngadaltë për të arritur, të mbijetuarit ndihen vetëm. Në Jadairis, një qytet në territorin sirian të kontrolluar nga rebelët,  ndërtesat që nuk janë shembur janë dëmtuar rëndë.

“Ka rreth 400 deri në 500 njerëz të bllokuar nën çdo bllok banesash të shembur dhe vetëm dhjetë njerëz që përpiqen t'i nxjerrin jashtë. Nuk ka makineri,”- tha Hassan, një banor.

Në fshatin Besnaya, në kufi me Turqinë, Malik Ibrahim gërmon pa pushim në rrënoja, duke kërkuar për 30 anëtarët e familjes së tij, të gjithë në rrënoja. Dhjetë trupa tashmë janë gjetur.

“Në rrënojat janë 20 persona. Nuk kam fjalë, është një fatkeqësi. Kujtimet tona u varrosën me ta, jemi një popull i lënduar në çdo kuptim të fjalës,”-tha ai. 

Në Siri, më shumë se 298,000 njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, raportojnë mediat shtetërore siriane. Numri duket se i referohet vetëm pjesëve të Sirisë nën kontrollin e qeverisë. Qeveria siriane ka marrë ndihmë nga një numër vendesh arabe, duke përfshirë Egjiptin dhe Irakun, si dhe aleatin e saj kryesor Rusinë.

termet ne turqi

Sondazh

Poll

Bota 9 Shkurt 2023, 08:45 k.m.

Berlini sërish në zgjedhje

Foto ilustruese Të dielën, më 12 shkurt 2022, Berlini rivoton për parlamentin e landit (Abgeordnetenhaus) dhe parlamentet e komunave. N...