Bota

'Asosacioni'/ Haradinaj: Kjo lojë politike të marrë fundit! Po përdoret nga Serbia dhe Kurti për të 'mbuluar' marrëveshjen e madhe

Ish-kryeministri thotë se, Kosova duhet të mbledhë potencialin e saj intelektualë dhe të vendosë theksin tek arritja kryesore, që sipas tij është marrëveshja finale me Serbinë.

30 Janar 2023, 15:24 Nga a.l
'Asosacioni'/ Haradinaj: Kjo lojë politike të marrë
Ramush Haradinaj

KOSOVË- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Asociacioni po paraqitet si “mbulesë”, për marrëveshjen e madhe nga kryeministri i Kosovës. Me një postim në faqen zyrtare në Facebook, Haradinaj theksoi se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi mund të arrihet vetëm me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si garanci e plotë në këtë proces.

Diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë. Ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet. Prandaj të gjithë ata që Asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te Asociacioni, por duan që Asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe”, ka shkruar Haradinaj.

Ish-kryeministri thotë se, Kosova duhet të mbledhë potencialin e saj intelektualë dhe të vendosë theksin tek arritja kryesore, që sipas tij është marrëveshja finale me Serbinë.

Të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i Planit Evro-Amerikan. Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”, thekson ai.

Asosacioni

Sipas Marrëveshjes së parë të Brukselit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet mbi bazën e një statuti, ndërsa shpërndarja e tij mund të bëhet vetëm mbi bazën e një vendimi të komunave pjesëmarrëse. Marrëveshja parasheh, po ashtu, të drejtën e komunave pjesëmarrëse për bashkëpunim në zbatimin kolektiv të kompetencave përmes Asociacionit, i cili do të ketë mbikëqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe zhvillimit rural. Marrëveshja e vitit 2015 përbëhet nga 22 pika, të cilat specifikojnë kornizën ligjore, objektivat, strukturën organizative, marrëdhënien me autoritetet qendrore, buxhetin dhe mbështetjen. Disa prej objektivave përfshijnë forcimin e demokracisë lokale; kryerjen e mbikëqyrjes së plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale, edukimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, planifikimit urban dhe rural, dhe ofrimin e shërbimeve për pjesëtarët e tij në përputhje me ligjet e Kosovës. Asociacioni duhet të ketë një Kuvend, një kryetar i cili përfaqëson Asociacionin para autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës, një nënkryetar, një Këshill, një Komitet, një Administratë, një Zyrë për ankesa, përderisa selia e tij duhet të përcaktohet nga statuti.

ramush haradinaj

Sondazh

Poll