Bota

Mbështesin Moskën, Ukraina sanksionon 185 kompani dhe individë

Lista e publikuar në faqen e internetit të Zelensky përfshin tre individë privatë dhe 182 persona juridikë.

29 Janar 2023, 11:06 Nga a.l
Mbështesin Moskën, Ukraina sanksionon 185 kompani dhe individë
Volodymyr Zelenskyy

UKRAINË- Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky ka nënshkruar një dekret për vendosjen e sanksioneve kundër 185 individëve dhe personave juridikë që ofrojnë ndihmë për Rusinë në tranzit hekurudhor. Ai miratoi një vendim nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës për sanksionet kundër atyre që transportojnë pajisje ushtarake dhe trupa. Në një video të publikuar në kanalin e tij Telegram, lideri ukrainas tha se pasuritë e tyre në Ukrainë do të bllokohen dhe pronat do të përdoren për qëllime mbrojtëse. Lista e publikuar në faqen e internetit të Zelensky përfshin tre individë privatë dhe 182 persona juridikë, shkruajnë mediat e huaja. 

Përveç kësaj, Zelenskyy ka falënderuar gjithashtu të gjithë aleatët që kanë ndihmuar në forcimin e sanksioneve kundër Rusisë, si dhe hetuesit që kanë ekspozuar mënyrat e përdorura nga shteti rus për të anashkaluar masat ndëshkuese. Presidenti ka ripërsëritur gjithashtu kërkesën e tij për të përjashtuar Rusinë nga Lojërat Olimpike të Parisit 2024, për të cilën thuhet se i ka dërguar një letër federatave kryesore ndërkombëtare të sportit për mendimin e tyre mbi vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i cili po shqyrton ripranimin e sportistëve rusë.

“Nëse atletët rusë shfaqen në garat ndërkombëtare, është vetëm çështje kohe para se të fillojnë të justifikojnë agresionin e Rusisë dhe të përdorin simbolet e terrorit”, shtoi ai.

Lidhur me sulmet e fundit ruse, presidenti ka raportuar dy viktima dhe 14 të plagosur pas një bombardimi me raketa ruse të ndërtesave të banimit në Kostiantinivka, rajoni Donetsk, dhe bëri thirrje për ndihmë ushtarake nga Perëndimi dhe raketa me rreze më të gjatë./Dosja.al

lufta ne ukraine

Sondazh

Poll