Sport

Ten Hag bën shaka me brazilianët e United: "Nuk është Copacabana, apo jo?"...

Trajneri bëri humor kur komentoi paraqitjen e mirë të treshes braziliane në një natë me shi dhe të ftohtë në Old Trafford. Casemiro shënon dy gola në të njëjtën ndeshje për herë të dytë në karrierën e tij

29 Janar 2023, 08:05 Nga DOSJA

Ten Hag bën shaka me brazilianët e United: "Nuk është

ANGLI - Një vend i ftohtë dhe me shi mund të mos jetë aq tërheqës. Por treshja braziliane e Manchester United ndihej shumë rehat në këto kushte, në Old Trafford dhe ‘vulosi’ fitoren 3-1 të ‘Djajve të Kuq’ ndaj Reading, për FA Cup. Aq shumë, sa që trajneri Erik ten Hag në fund të ndeshjes, vlerësoi me humor performancën e shkëlqyer të Casemiro, Antony dhe Fred.

“Nuk është Copacabana, apo jo?”,- tha Ten Hag, duke buzëqeshur, kur fliste sesi brazilianët ishin rehat në Mançesterin e ftohtë dhe me shi. “Ne kishim tre golashënues brazilianë, sepse Fredi shënoi të tretin dhe unë u emocionova me paraqitjen e tyre. Më duhet të them se jam i kënaqur me paraqitjen e gjithë ekipit në 60 minutat e para,”- vlerësoi tekniku holandez.

Casemiro shënoi dy gola në lojë dhe mori disa komplimente. Në moshën 30-vjeçare, mesfushori shënoi dy herë në të njëjtën ndeshje, rasti i dytë në karrierën e tij, tjetri ishte në një ndeshje Real Madrid-Sevilla 2-1, në janar 2020.

Erik ten Hag ishte gjithashtu i prirur të bënte komente specifike për mesfushorin brazilian, i cili tani ka katër gola për Manchester United. “Ai është shumë i rëndësishëm me përvojën e tij, por ai është një lojtar shumë i zgjuar. Ai i di pozicionet, si ta trajtojë topin dhe të jetë kreativ. Ne jemi shumë të kënaqur me të. Ishte shumë e rëndësishme për përmirësimin e ekipit,”- tha trajneri.

Manchester United kaloi në fazën e 16-të të FA Cup me fitoren ndaj Reading. Kundërshtari i fazës tjetër do të njihet me short këtë të hënë. Skuadra rikthehet në fushë këtë të mërkurë, kundër Nottingham Forest, në ndeshjen e kthimit për gjysmëfinalen e Kupës së Ligës angleze, në ndeshjen e parë, ‘Djajtë e Kuq’ fituan me rezultat 3-0.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll