Bota

Nis takimi i Kurtit dhe pesë emisarëve specialë për dialogun Kosovë-Serbi

Në takim me Kurtin janë ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i deleguari amerikan Gabriel Escobar.

20 Janar 2023, 10:22 Nga I.A
Nis takimi i Kurtit dhe pesë emisarëve specialë për dialogun
Zyrtaret e huaj

KOSOVË- Ka nisur takimi i kryeministrit Albin Kurti me pesë emisarët për dialogun Kosovë-Serbi. Në takim me Kurtin janë ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i deleguari amerikan Gabriel Escobar. Kësaj radhe me Lajçakun dhe Escobarin janë edhe tre këshilltarët e jashtëm të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Jens Plettner, Emmanuel Beaune dhe Francesco M. Talo po ndihmojnë dialogun Kosovë-Serbi. Bashkësia ndërkombëtare i ka shtuar përpjekjet për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Për këtë çështje para disa dite për vizitë në Kosovë ishte edhe këshilltari i lartë amerikan, Derek Chollet, ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi në fillim të vitit ishte e i dërguari britanik Stuart Peach.

Chollet një ditë më parë theksoi se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë “zgjedhje të vështira” dhe “guxim politik”. Ai thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet, por thekson se “Asociacioni në formën e Republikës Srpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do do ta lejojë”.

Ndërkaq, i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach gjatë vizitës në Serbi ditë më parë tha se pret një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dy vende fqinje.

dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll