Ekonomi

Viti 2022/ Inflacioni kapi nivelin më të lartë në 24 vjet, shkoi në 6.7%, të varfrit më të ekspozuar

Rritja e inflacionit përtej mesatares historike të periudhës së tranzicionit nuk është një fenomen shqiptar, por global që u nxit fillimisht nga pandemia Covid-19 dhe më pas lufta në Ukrainë. Të dy këto ngjarje dëmtuan zinxhirët e furnizimit për disa produkte jetike si energjia, nafta dhe ushqimet.

19 Janar 2023, 07:17 Nga DOSJA
Viti 2022/ Inflacioni kapi nivelin më të lartë në 24 vjet,
Foto Ilustruese

TIRANË- Në vitin 2022, rritja e përgjithshme e çmimeve (inflacioni) ishte 6.7% duke shënuar nivelin më të lartë të 24 viteve të fundit, që nga 1998 ku treguesi shënoi 21.6% prej çrregullimeve që krijuan në ekonomi ngjarjet e vitit 1997.

Ky nivel i ri i inflacionit vjen pas një stabiliteti të gjatë ku që nga 2012-a, inflacioni vjetor ka qenë gjithnjë më i ulët se 2%. Gjatë kësaj periudhe, kushtet e financimit si për individët, edhe për qeverinë, ishin favorizuese.

Rritja e inflacionit përtej mesatares historike të periudhës së tranzicionit nuk është një fenomen shqiptar, por global që u nxit fillimisht nga pandemia Covid-19 dhe më pas lufta në Ukrainë. Të dy këto ngjarje dëmtuan zinxhirët e furnizimit për disa produkte jetike si energjia, nafta dhe ushqimet.

Banka Botërore ka analizuar se në vendet me varfëri të lartë, ku bën pjesë edhe Shqipëria, rritja e çmimeve është edhe më e dëmshme, për faktin se gjysmën e konsumit mujor, popullsia e përdor për ushqime.

INSTAT raportoi se familjet shqiptare në vitin 2021 çuan 41% të shpenzimeve mujore për ushqime. Në vitin 2022, inflacioni i grupi të ushqimeve u rrit me 12% gati dyfishi i rritjes së përgjithshme të çmimeve.

Banka Botërore pak kohë më parë vlerësoi se inflacioni në Shqipëri, më së shumti shpreh ndryshimin e çmimeve për shtresën e mesme teksa theksoi se, familjet e varfra në Shqipëri përballen me një inflacion më të lartë se sa raportimet e INSTAT.

20 përqindëshi i poshtëm i popullsisë që ka të ardhurat më të ulëta, ka një peshë më të lartë të shpenzimeve mujore për ushqime që arrin më shumë se 60%.

Inflacioni është tregues kryesor i ekonomisë në bazë të të cilit qeveria dhe bizneset indeksojnë të gjitha shpenzimet. P.sh. Qeveria me masën e inflacionit duhet të indeksoje pagat e administratës shtetërore, pensionet, pagesat e ndihmës ekonomike, të papunësisë, etj.

Nisur nga situata e re që ka krijuar inflacioni i lartë Banka Botërore ka indeksuar kufijtë varfërisë duke marrë në konsideratë zhvillimet në inflacion.

Kufiri i varfërisë në vendet me të ardhura të mesatare, ku bën pjesë edhe Shqipëria, u rrit në 6.85 USD në ditë nga 5.5 USD në ditë (e matur sipas barazisë së fuqisë blerëse) që ishte vitin e kaluar, me një indeksim me 21%.

Me përllogaritjen e re çdo shqiptar që shpenzon më pak se 6.85 USD në ditë quhet i varfër më 2022. Qoftë edhe statistikisht varfëria si fenomen mund të rritet në Shqipëri nga indeksimi i kufirit të varfërisë.

Banka përllogariti se, më shumë se 23% e popullsisë së vendit jeton në varfëri në vitin 2022, por fenomeni pritet të zgjerohet më tej me rreth 8.4% nga kriza e çmimeve të larta.

Edhe në perspektivën afatmesme, Shqipëria do të mbetet si vendi me varfërinë më të lartë në rajon, por edhe më gjerë në Europë.

Marrë nga Monitor.al

inflacioni ne shqiperi

Sondazh

Poll