Ekonomi

Stabilizimi i yield-eve shtrihet edhe te borxhi afatgjatë, obligacionet 10-vjeçare me kupon 7.6%

Nga 2.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga qeveria shqiptare, shuma totale e kërkesave në pothuajse 6.9 miliardë lekë. Duke parë kërkesën e lartë dhe yield-et më të mira se pritshmëritë, Ministria e Financave e rriti shumën e pranuar me maksimumin e lejuar prej 15%, duke e çuar në 2.875 miliardë lekë.

18 Janar 2023, 07:22 Nga DOSJA
Stabilizimi i yield-eve shtrihet edhe te borxhi afatgjatë, obligacionet
Foto Ilustruese

TIRANË- Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi të hënën ankandin e emetimit të ri të obligacioneve 10-vjeçare. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform dhe kuponi shënuan nivelin 7.6%. Kjo vlerë ishte ndjeshëm më e ulët se kuponi indikativ prej 8.36% i paraqitura nga Ministria e Financave para ankandit. Ankandi i fundit për këto instrumente (rihapje) ishte zhvilluar në tetor të vitit të kaluar dhe yield-i pranuar kishte qenë 7.48%. Megjithatë, në atë ankand kërkesa e tregut kishte qenë e pakët, ndërsa shuma e pranuar nga Ministria e Financave akoma më e ulët, për shkak të yield-eve të larta të kërkuara nga investitorët dhe që arrinin deri në 10%.

Ndërkohë, në ankandin e sotëm kërkesa ka qenë mjaft e lartë dhe yield-et maksimale të kërkuara më të ulëta. Nga 2.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga qeveria shqiptare, shuma totale e kërkesave në pothuajse 6.9 miliardë lekë. Duke parë kërkesën e lartë dhe yield-et më të mira se pritshmëritë, Ministria e Financave e rriti shumën e pranuar me maksimumin e lejuar prej 15%, duke e çuar në 2.875 miliardë lekë.

Rezultatet e ankandit të obligacioneve 10 vjeçare tregojnë se stabilizimi i normave të interesit, që nisi në fund të muajit nëntor, po konsolidohet dhe po shtrihet edhe në instrumentet më afatgjata. Ngadalësimi i inflacionit në muajt e fundit të vitit 2022 dhe frenimi i rritjes së shpejtë të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë qetësuan tregun, pas një një periudhe disamujore të karakterizuar nga pasiguria dhe rritja e yield-eve në përmasa më të mëdha se rritja e normës bazë të interesit. Në ankandet e fundit, të gjitha instrumentet e borxhit kanë shënuar ulje domethënëse të yield-eve.

Stabilizimi i tregut të bonove dhe obligacioneve qeveritare është një tregues pozitiv edhe për huamarrësit privatë. Rritja e shpejtë e yield-eve në gjysmën e dytë të vitit 2022 ishte përcjellë në rritje të shpejtë edhe të interesave të kredive të bizneseve dhe familjeve.

Efekti ishte veçanërisht i fortë për huatë ekzistuese me interesa të ndryshueshme, kur në harkun e një viti interesi total u rrit me më shumë se katër pikë përqindje, pikërisht për shkak të rritjes së yield-eve, kryesisht të Bonove 12 mujore.

Ndërkohë, rritja e normës bazë dhe e yield-eve është reflektuar edhe në norma më të larta interesi për kreditë e reja. Rritja e normave të interesit pritet të ketë një efekt të ndjeshëm në frenimin e kërkesës së brendshme dhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike për vitin 2023.

Një ecuri më e stabilizuar e yield-eve gjatë vitit 2023 do të ndihmonte në uljen e pasigurisë së huamarrësve dhe institucioneve financiare, duke zbutur efektet ekonomike të ciklit të normalizimit monetar.

Marrë nga Monitor.al

ministria e financave

Sondazh

Poll