Ekonomi

Kredimarrësit marrin pak frymë; Yield-i i Bonove 12 mujore bie pranë 5%

Kërkesa e investitorëve për instrumentet e borxhit qeveritar u konfirmua mjaft e lartë edhe në këtë ankand. Nga 12 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa totale në vlerën e 17.8 miliardë lekëve.

18 Janar 2023, 07:21 Nga DOSJA
Kredimarrësit marrin pak frymë; Yield-i i Bonove 12 mujore bie
Foto Ilustruese

TIRANË- Yield-et e Bonove 12 mujore të Thesarit pësuan një tjetër rënie të mëtejshme në ankandin e kësaj jave. Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 5.03%, nga 5.34% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Kërkesa e investitorëve për instrumentet e borxhit qeveritar u konfirmua mjaft e lartë edhe në këtë ankand. Nga 12 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa totale në vlerën e 17.8 miliardë lekëve.

Në dy muajt e fundit, pjesëmarrja e investitorëve dhe sidomos e bankave në ankandet e emetimit të Bonove dhe Obligacioneve është rritur ndjeshëm. Pasi Banka e Shqipërisë dha sinjale se e përfundoi fazën e parë dhe më agresive të rritjes së normës bazë të interesit, pasiguria e lidhur me rritejn e mëtejshme të normave në treg u reduktua disi.

Ndërkohë, sipas të dhënave jozyrtare, edhe njëra prej bankave më të mëdha në vend, Raiffeisen, ka vendosur të rrisë kufirin e ekspozimit në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare, duke dhënë gjithashtu një ndikim pozitiv te kërkesa në ankandet e Bonove dhe Obligacioneve. Këto zhvillime kanë sjellë një tendencë të dukshme në rënie për titujt e të gjithë maturiteteve gjatë muajve dhjetor dhe janar.

Rënia e yield-eve të Bonove është një lajm i mirë për qeverinë shqiptare, që prej viti të kaluar ishte përballur me një rritje të shpejtë të shpenzimeve për interesat e borxhit. Deri në fund të 9-mujorit 2022, shpenzimet për interesat e borxhit të qeverisë u rritën me 5.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Vlerësohet se rritja ka vijuar më tej edhe ën tremujorin e fundit, duke pasur parasysh rritjen e mëtejshme të yield-eve.

Ndërkohë, shpenzimet për interesa në buxhetin e këtij viti parashikohen në vlerën 60.9 miliardë lekë ose 2.8% të PBB, duke përfshirë në këtë shumë dhe kontigjencën për rreziqet e borxhit. Por, rënia e yield-eve nënkupton edhe një lehtësim, të paktën të pjesshëm, për ata huamarrës afatgjatë në lekë që kanë kredi me norma të ndryshueshme interesi. Zakonisht, indeksi referues që përdoret për kuotimin e pjesës së ndryshueshme të interesit është pikërisht yield-i i Bonove të Thesarit 12 mujore.

Rritja vjetore e yield-it të bonove të thesarit ngelet sidoqoftë e konsiderueshme, me rreth 3.4 pikë përqindje më shumë krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Kjo nënkupton se, një huamarrës që në këtë periudhë ka rivlerësimin vjetor të këstit të kredisë do të paguajë një normë interesi 3.4 pikë përqindje më të lartë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, rritja vjetore e yield-eve paraqitet ndjeshëm më e zbutur krahasuar me muajin nëntor, kur rritja vjetore e yield- të këtyre instrumenteve pati arritur një nivel maksimal prej 4.1 pikësh përqindje.

Marrë nga Monitor.al

yieldi i bonove banka e shqiperise

Sondazh

Poll