Bota

Dialogu Kosovë-Serbi/ Përfshihen edhe italianët, këshilltari i Melonit pjesë e ekipit që do të vijë në Prishtinë e Beograd

Të tri shtetet janë pjesë e QUINT-it bashkë me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në një konferencë për media.

18 Janar 2023, 15:36 Nga k.m.
Dialogu Kosovë-Serbi/ Përfshihen edhe italianët, këshilltari
Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak

PRISHTINË- Dyshes së zakonshme Berlin-Paris në përpjekjen për arritjen e një marrëveshjes Kosovë-Serbi do t’i shtohet edhe Roma. I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor do të shoqërohen nga këshilltarët e kancelarit gjerman Olaf Scholz, të presidentit francez Emmanuel Macron dhe të kryeministres italiane, Giorgia Melonit të premtën në Prishtinë dhe Beograd në përpjekje për të gjetur një akord për të ashtuquajturin plan franko-gjerman.

Por, kësaj radhe këtij formacioni të përbërë nga Emmanuel Bone dhe Jens Plotner do t’i shtohet edhe këshilltari i kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco M. Talo. Të tri shtetet janë pjesë e QUINT-it bashkë me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në një konferencë për media.

“Lajcak këtë të premte do të qëndrojë në Kosovë dhe Serbi. Në Prishtinë do të takohet me kryeministrin Kurti dhe në Serbi do të takohet me presidentin Aleksander Vucic për të diskutuar hapat e radhës. Ai do të jetë i shoqëruar nga këshilltarët e kancelarit gjerman, presidentit francez, kryeministrit italian dhe Gabriel Escobar,”- ka thënë Stano.

Kosova dhe Serbia në tavolinë kanë propozimin e quajtur franko-gjerman përmes të cilit synohet arritja e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë por që s’përfshihet njohja reciproke. 

Çfarë është Plani Franko-Gjerman?

Të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë janë elementet kyçe të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e siguroi REL. Ky propozim, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

gabriel escobar miroslav lajcak francesco m. talo

Sondazh

Poll