Sport

Nuk prishet trendi, stadiumi i Rennes ‘ferr’ për PSG-në! Kampionët humbin me Messin, Neymar dhe Mbappe në fushë… (video)

Parizienët dorëzohen para kuqezinjve, një lojë shumë e keqe për djemtë e Galtier. Traore (65’) autor i golit të fitores për Rennes

15 Janar 2023, 23:22 Nga DOSJA

Nuk prishet trendi, stadiumi i Rennes ‘ferr’ për PSG-në!

FRANCE - PSG rikthehet në Ligue 1, këtë herë me humbje kundër Rennes 1-0. Parizienët zhvilluan një lojë shumë të keqe dhe u mundën në ‘Roazhon Park’ ndaj një skuadre kuqezi që i kaloi në të gjitha aspektet e lojës.

Skuadra pariziene nuk e përfshiu Kylian Mbappé në 11-shen e saj fillestare, për të mos thënë aspak befasuese. Ata që ishin aty, ishin dy yjet e tjerë, Messi dhe Neymar. Rennes e nisi lojën me guxim me disa ardhje nga Kalimuendo. 

Kuqezinjtë i nisin gjithmonë fuqishëm ndeshjet në ‘Roazhon Park’ dhe tetë fitore radhazi në shtëpi në Ligue 1, e dëshmojnë këtë. Messi u përpoq të tërhiqte skuadrën, por PSG përplasej vazhdimisht me murin e Rennes. 

Skuadra vendase filloi të rritet në ndeshje falë paraqitjeve shumë të rrezikshme të Kalimuendo, por një Donarumma shumë i frymëzuar, arriti t’i pengojë goditjet e futbollistit të ri francez, dikur i PSG-së.

PSG nuk u ‘zgjua’ në lojë dhe kur Galtier futi në fushë Mbappé dhe Achraf në minutën e 55-të për t'i dhënë më shumë entuziazëm lojës së ekipit të tij. Por Rennes vazhdoi të rritej dhe Truffert në krahun e majtë shërbeu për Traoré (65’) për të bërë 1-0 për ekipin e Rennes.

‘Roazhon Park’ ka qenë dëshmitar i rikthimit të sulmuesve Messi-Neymar-Mbappé që nuk ishte takuar në një ndeshje që prej 13 nëntorit 2022. Megjithatë, këtë herë treshja ‘magjike’ firmosi një lojë diskrete, shumë gri, në një fushë që është e tmerrshme për PSG-në. Tashmë janë katër ndeshje radhazi pa fitore në Roazhon Park (tre humbje dhe një barazim)

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll