Sport

Kryebashkiakja e Parisit nuk dëshiron t'ia shesë PSG-së ‘Parc des Princes’, klubi gati "të largohet nga shtëpia e tij"…

Kampionët e Francës kanë luajtur në Parc des Princes që nga viti 1974. Tani janë të zhgënjyer...

15 Janar 2023, 14:55 Nga DOSJA

Kryebashkiakja e Parisit nuk dëshiron t'ia shesë PSG-së

FRANCE - ‘Parc des Princes’ "nuk do t'i shitet" PSG-së, tha kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo në një intervistë të transmetuar këtë të shtunë, më 14 janar nga Le Parisien, duke tërhequr zemërimin e klubit kryeqytetas, i cili tha se ishte gati të "largohej nga shtëpia e tij".

E pyetur nga Le Parisien, Anne Hidalgo foli për temën e shitjes së stadiumit ‘Parc des Princes’ te klubi kryeqytetas, Paris Saint-Germain. Kryebashkiakja konfirmoi se nuk pritej shitje. 

‘Parc des Princes’ "nuk është në shitje" dhe "nuk do të shitet" te Paris Saint-Germain, sipas Anne Hidalgo. Pas deklaratave të saj, një zëdhënës i klubit tha se ishte "i zhgënjyer dhe i befasuar" që Bashkia dëshironte "ta largonte Paris Saint-Germain dhe tifozët e tij nga ‘Parc des Princes’.  Kryebashkiaku po e detyron PSG-në të largohet nga shtëpia e tij,” shprehu keqardhjen ai.

Kryebashkiakja e Parisit nuk dëshiron t'ia shesë PSG-së
Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo

Klubi përsërit se ka nevojë për një stadium më të madh se 45.000 vendet aktuale, një kapacitet modest në krahasim me konkurrentët e tij europianë me stadiumet e tyre midis 60.000 dhe 90.000 vendesh.

Nasser Al-Khelaïfi, presidenti i PSG-së, është lodhur duke investuar në një stadium që nuk i përket klubit dhe dëshiron ta marrë atë për të vazhduar ta përmirësojë. Që në nëntor 2022, në mes të Kupës së Botës në Katar, lideri i Katarit kishte rinisur debatin me bashkinë e Parisit. Një debat që mund të përfundojë shpejt. 

“Është një qëndrim i prerë dhe përfundimtar. Është një trashëgimi e jashtëzakonshme e parizienëve”,- shtoi Anne Hidalgo. Paris Saint-Germain luan në ‘Parc des Princes’ që nga viti 1974.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll