Aktualitet

Gripi 'mbërthen' Beratin, mjeku: S’ka më shtretër të lirë në Pediatri, komplikacionet tek fëmijët e vegjël

Situata më problematike paraqitet në Repartin e Pediatrisë, ku rastet shtohen çdo ditë e më shumë duke prekur kështu edhe fëmijët e porsalindur.

12 Janar 2023, 13:31 Nga l.S
Gripi 'mbërthen' Beratin, mjeku: S’ka më shtretër
Spitali Rajonal Berat

BERAT- Me ftohjen e kohës, gripi ka 'mbërthyer' shumë fëmijë e të rritur, ndërsa situata më komplikuese është shfaqur në qarkun e Beratit. 

Mjeku pediatër Vladimir Kumaraku ka pohuar se këto viroza janë ndryshe nga çdo virozë tjetër, pasi janë më të ashpra për nga simptomate tyre. Kumaraku ka theksuar se këto viroza shfaqen me temperatura shumë të larta dhe të pandjeshme ndaj atipiretikëve, të cilët i kemi alternuar për të mundësuar uljen e temperaturave të larta. Më tej, ai shtoi se Reparti i Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat ka qenë në kapacitetete tij maksimale dhe të gjithë shtretërit e Pediatrisë janë të zënë. Mjeku ka pohuar se numri i vizitave nga e hëna në të premten arrin në 70, ndërsa në fundjavë i kalon 100. Sakaq, numri i shtrimeve është shtuar duke arritur kështu nga 10-15 çdo ditë.

“Kjo formë e re virale që po qarkullon ka pasur edhe komplikacione nga më të ndryshmet në më të shumtën e rasteve të të prekurve. Komplikacionet kanë qenë në aparatin polmonar (bronko pneumoni), tek fëmijët vegjël nga 0-1 vjeç janë shfaqur bronkilite që janë shpjerje e bronko pneumonisë virale, shumë raste paraqesin infeksione të bajameve dhe infeksione të veshëve”, është shprehur Kumaraku, i cili ka deklaruar se duhet të shmangen edhe dyndjet drejt spitaleve në ditët e para të virozës, që duhet të ndiqen më shërbimin ambulator. Kumaraku, gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të Beratit që të vaksinohen familjarisht, jo vetëm me vaksinën e detyrueshme të Covid, por edhe me vaksinën “antigrip” në mënyrë që ta përballojnë më lehtësisht situatën e rënduar virale.

Prej gati 2-javësh numri i të prekurve nga virozat është shtuar mjaft, ndërkohë që edhe rastet e agravuara dhe shtrimet në spitale janë rritur dita-ditës. Situata paraqitet problematike në çdo repart të Spitalit të Beratit, ndërsa në Repartin e Urgjencës numri i vizitave arrin në rreth 80 çdo ditë dhe shtrimet janë të shumta, ndërkohë që edhe në Repartin e Kardiologjisë ka probleme të theksuara me moshat e treta, të cilët janë prekur nga virozat dhe paraqesin probleme kardiake dhe hipertension. Sakaq, situata më problematike paraqitet në Repartin e Pediatrisë, ku rastet shtohen çdo ditë e më shumë duke prekur kështu edhe fëmijët e porsalindur.

viroza

Sondazh

Poll